Influenca nga grupi H5N1 apo i njohur si virusi i shpendëve nuk paraqet rrezik për popullatën, vlerësojnë epidemiologët, Dragan Danillovski dhe Sasho Olumçev.

Sipas tyre, këtij virusi iu dha shumë hapësirë mediatike dhe kjo krijoi reagime dramatike dhe frikë, e sidomos kur për këtë çështje janë deklaruar jokompetentë. Ekziston rrezik i ulët që nga ky virus të infektohen vetëm ata që punojnë në mënyrë profesionale dhe kanë kontakte të përditshme me shpend.

Sa i përket transmetimit nga njeriu në njeri, epidemiologët theksojnë se një gjë e tillë deri më tani nuk ka ndodhur dhe shkenca nuk e ka dëshmuar.

“Transmetimi nga shpendët te njeriu është e mundur, por nga njeriu në njeri shkenca akoma nuk e ka dëshmuar se mund të ndodhë një transfer i tillë i virusit dhe të përhapet mes njerëzve. Pra, mund të themi se transmetimi nuk është dëshmuar. Edhe pse nuk është dëshmuar, nuk mund të themi se nuk është e mundur, por teoritikisht minimal. Ashtu që ndonjë rrezik i posaçëm nuk ekziston për momentin. Bëhet fjalë për sëmundje mes shpendëve. Transmetimi është direkt apo me ajër, nëse për një kohë të gjatë është thithur ajri ku qëndrojnë shpendë të infektuar në vende të mbyllura.”, – deklaroi epidemiologu, Sasho Olumçev.

“Që nga viti 1996 e deri më tani kur është paraqitur virusi nuk është regjistruar asnjë rast i infektimit nga njeriu në njeri. Absolutisht është e pamundur të ndodhë ndonjë epidemi apo përhapje më e gjerë e virusit. Mjafton që qytetarët mos të kenë kontakt me shpendë të infektuar. Ishte e qartë se bëhej fjalë për shfrytëzimin e rastit për qëllime politike. Kjo është e papërshtatshme dhe e papranueshme që të shfrytëzohen situata të tilla që shqetësojnë publikun për pikë politike. Nuk ka nevojë që njerëzit t’i besojnë apo t’i nënshtrohen informatave të tilla të pavërtetuara, mjafton të bazohen në informatat e personave profesionistë, por jo të disa individëve, laikë të mjekësisë.”, – theksoi epidemiologu, Dragan Danillovski.

Epidemiologët theksojnë se nuk mund të vijë deri tek infektimi nëse shfrytëzohet mish apo vezë të shpendëve të infektuara, nëse ato përpunohen në mënyrë termike. Simptomat janë të ngjashme sikurse të gripit, eventualisht mund të paraqitet diarreja dhe shumë rrallë probleme neurologjike.

Periudha e inkubacionit është mesatarisht nga 2 deri në 5 ditë, por mund të jetë deri më 17 ditë.