Punonjësi i Kopshtit Zoologjik, i cili u testua pasi të premten kishte shfaqur simptoma me temperaturë të lartë dhe diarre nuk është i infektuar me gripin e shpendëve – H5N1, informojnë nga Instituti për Shëndet Publik. Edhe rezultatet e të testuarit të dytë janë negative, ai nuk ka qenë në listën e 16 punonjësve që ka dorëzuar drejtoria e Kopshtit Zoologjik, por i njëjti është paraqitur tek IShP-ja me simptoma.
Ditë më parë Agjencia për Ushqim dhe Veterinari akuzoi udhëheqësin e Kopshti Zoologjik se nuk ka ndërmarrë masa në kohë, sepse edhe pse pata ka ngordhur të hënën, nuk ka vepruar sipas protokollit, nuk e ka mbyllur Kopshtin Zoologjik dhe nuk ka njoftuar shërbimet. Nga kjo agjenci paralajmërojnë hetime shtesë për dyshimet se Kopshti Zoologjik është burim i baktereve. Këto akuza u hodhën poshtë nga drejtoria e Kopshtit Zoologjik. Sipas tyre, e gjithë kjo situatë e krijuar ka prapavijë politike.
Oda Veterinare mbështet plotësisht të gjitha aktivitetet dhe masat e ndërmarra nga organet kompetente në lidhje me ngjarjet e fundit dhe sqarojnë se procedurat dhe masat në rastet e sëmundjeve infektive që kalojnë nga kafshët te njeriu, janë përcaktuar nga institucionet ndërkombëtare dhe duhet të zbatohen në mënyrë konsistente.
“Në këtë drejtim, theksojmë se disa lloje të virusit të gripit të shpendëve janë vërejtur nga shkenca botërore si shkaktarë të sëmundjeve infektive me potencialin më të madh për një pandemi të re globale. Duke marrë parasysh të gjitha këto, bëjmë thirrje për qetësi dhe përgjegjësi sociale të të gjithë aktorëve në shoqëri, pa krijuar klimë mosbesimi dhe penguar aktivitetet e institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e shëndetit publik dhe të shëndetit të kafshëve.”, – theksojnë nga Oda Veterinare.
Edhe pse autoritetet shëndetësore dhe ekspertët sigurojnë se pavarësisht shfaqjes së gripit të shpendëve, Ligji për shëndetësi veterinere dhe protokollet parashohin që Kopshti Zoologjik të jetë i mbyllur 21 ditë.