Ish-presidenti dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar pas arrestimit të tij.

Ai tha se ndihet “krenar” që është rrëmbyer në mënyrë të dhunshme nga ato që ai i quajti “antishqiptarë” dhe “shqipfolës”.

Sipas Metës, arrestimi i tij lidhet vetëm me patriotizmin dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.

Përmes një postimi në Facebook, Meta shprehu mirënjohje të thellë ndaj anëtarëve të partisë së tij për mbështetjen e vazhdueshme.

Ai gjithashtu theksoi se armiqtë e kombit dhe demokracisë do të përballen me zhgënjim.

“Jam i bindur në fitoren e kauzave tona kombëtare dhe demokratike! Rrëmbimi im në mënyrë banditeske tregon panikun e regjimit diktatorial nga e vërteta,” shkroi Meta.

Ai përfundoi duke thënë se ndihet më i fortë se kurrë pas arrestimit dhe është i sigurt në pafajësinë e tij të plotë.

Postimi i plotë:

🇦🇱 Falenderoj përzemërsisht të gjithë anëtarët e Partisë së Lirisë për mbështetjen e jashtëzakonshme që më kanë dhënë deri tani.
Po kështu nga sot lufta jonë nis një faqe të re në përballjen pa asnjë kompromis me Narkoshtetin e instaluar brutalisht.
Jam i bindur në fitoren e kauzave tona kombëtare dhe demokratike!
Armiqtë e kombit tonë dhe demokracisë do u ngrijë e qeshura në buzë!
Rrëmbimi im sot në mënyrën më banditeske tregon panikun e regjimit diktatorial nga ballafaqimi me të vërtetat.
Ju siguroj se pas njohjes me vendimin e arrestimit tim ndihem më i fortë se kurrë dhe besoj edhe shumë në pafajësinë time të plotë.
Ndihem krenar që jam rrëmbyer dhunshëm nga antishqiptarët dhe shqipfolësit vetëm për patriotizmin tim dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.