Negociatat mbi një armëpushim të mundshëm të Gazës dhe marrëveshjen për lirimin e pengjeve do të rifillojnë në Doha në ditët në vijim, kanë thënë zyrtarë nga ShBA-ja, Izraeli dhe Katari.

Një zëdhënës i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se një delegacion izraelit do të udhëtojë në Katar të dielën.

Nuk është ende e qartë nëse Hamasi ka pranuar të marrë pjesë në bisedime, shkruan BBC, përcjell Klankosova.tv.

Shtetet e Bashkuara besojnë se vdekja e liderit të Hamasit, Yahya Sinwar javën e kaluar – që shihet si një nga figurat më ekstreme të grupit – mund të hapë derën për një marrëveshje, megjithëse Hamasi ka akuzuar Izraelin se është blloku kryesor i çdo marrëveshjeje.

“Me largimin e Sinwar-it, ekziston një mundësi reale për të sjellë [pengjët] në shtëpi dhe për të përmbushur objektivin”, u tha gazetarëve Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.

Ky objektiv, tha Blinken, ishte arritja e një marrëveshjeje “në mënyrë që Izraeli të tërhiqet, në mënyrë që Hamasi të mos mund të rindërtohet dhe në mënyrë që populli palestinez të mund të rindërtojë jetën e tij dhe të rindërtojë të ardhmen e tij”.