Barcelona e ka zgjeruar epërsinë në krye të La Ligas me fitoren e radhës ndaj Espanyolit me shifrat prej 3-1.

Tre gola brenda gjysmë ore lojë ia siguruan tre pikëshin e radhës Barçës, ndonëse klubi blaugranas nuk e pati aq lehtë, sa ndeshjet e kaluara.

Në pjesën e dytë, katalunasit nuk arritën të tregojnë më të mirën e tyre, me Espanyolin që shënoi golin e “nderit”.

Pas ndeshjes, Hansi Flick e potencoi po të njëjtën.

“Një derbi është gjithmonë i komplikuar. Në pjesën e parë treguam nivel të mirë, por në pjesën e dytë nuk luajtëm si gjithmonë, humbëm shumë topa në atë pjesë. Gjëja më e rëndësishme është që fituam tri pikët”, tha ai.

Me fitoren e sotme, Barça mbetet në krye me 33 pikë, 9 më shumë se Real Madridi në vendin e dytë.