Në kuadër të platformës në Qeveri – “100% të përkushtuar për ju,” e dedikuar për sektorët e shëndetësisë dhe politikës sociale, ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, theksoi disa sfida të rëndësishme në menaxhimin e sektorit të shëndetësisë.

“Duke marrë parasysh që potenciali njerëzor është shtylla mbështetëse e çdo sistemi shëndetësor, me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria miratoi masën për punësimin e specializantëve privatë (300+300). Përveç kësaj mase, po bëjmë përpjekje për të mundësuar edhe punësimin e 1,200 personave të tjerë, theksoi Taravari.

Më tej, ai deklaroi se, pas më shumë se 10 vite ngërç, është përditësuar lista pozitive e barnave me 9 barna të reja gjenerike, përkatësisht 87 barna në forma të ndryshme, ndërsa vazhdohet të shqyrtohen aplikimet e dorëzuara nga kompanitë farmaceutike dhe pritet që në periudhën e ardhshme lista të zgjerohet me kategori të reja barnash.

“Për këtë masë, si Qeveri morëm lëvdata nga drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën, Dr. Hans Kluge, në kuadër të takimit të 74-të rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kopenhagë, theksoi ministri.

Sipas Taravarit, është ndërmarrë edhe zgjidhja e një problemi tjetër të gjatë në sektorin e shëndetësisë – heqja e pozicionit të drejtorit ekonomik, me qëllim reduktimin e shpenzimeve të panevojshme dhe përmirësimin e efikasitetit në menaxhimin e institucioneve shëndetësore.

Përveç problemeve të përmendura, ministri kujtoi për realizimin e disa projekteve infrastrukturore në institucionet shëndetësore publike, si dhe investimet në pajisje të reja mjekësore.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume