Memov: Fondi për sigurim pensional dhe invalidor do të transformohet në institucion modern dhe të respektueshëm që do t’u përgjigjet nevojave të të siguruarve

Drejtori i Fondit për sigurim pensional dhe invalidor, Nikolla Memov, duke folur në kuadër të platformës në Qeveri – “100% të përkushtuar për ty” dedikuar sektorit social dhe të shëndetësisë, theksoi se:
“Fondi i sigurimit pensional dhe invalidor ka dy funksione bazë, pagesën e rregullt dhe në kohë të pensioneve dhe sigurimin e të drejtave të sigurimit pensional për të gjithë përfituesit. Sa i përket funksionit të parë, qeveria garanton pagesën e pensioneve, plotëson mjetet e nevojshme nga buxheti përmes transfertave dhe këtu nuk duhet të ketë asnjë shqetësim tek pensionistët.
Sa i përket funksionit të dytë, më duhet të konstatoj se nëse kemi funksionim të përsosur për sa i përket pagesës së pensioneve, kemi një pasqyrë krejtësisht të ndryshme sa i përket dhënies së të drejtave. Vitet e fundit vihet re një çekuilibër i plotë i ekipimit kadrovik të degëve të Fondit. Për momentin punon me plotësim prej 50 për qind në nivel shtetëror, në raport me vendet e parapara sipas sistematizimit.
Në disa degë siç janë Tetovë, Gostivar, Kumanovë kemi ekipim prej 90 për qind, ndërsa në Manastir, Prilep, Strumicë, Veles nuk ka as një minimum elementar të të punësuarve që procesi i punës të ecë pa probleme. Ka pasur edhe një sërë autorizimesh për rishpërndarjen e punonjësve në punë të papërshtatshme. Për sa i përket personelit të nevojshëm, ne kemi ndërmarrë hapa dhe kemi kërkuar pëlqimin e Ministrisë së Financave për punësimin e personave me kontratë për të siguruar kushte minimale për funksionimin e degëve. Tani për tani jemi duke punuar me resurset ekzistuese, kemi bërë rishpërndarjen e kuadrove dhe tashmë kemi rezultate të dukshme. Në këtë periudhë të shkurtër prej një muaji që kur jam në detyrë, kemi arritur të zvogëlojmë numrin e çështjeve të pazgjidhura”.
Memov thekson se gjendja financiare është e njëjtë si në institucionet tjera, kontratat janë realizuar plotësisht deri në qershor dhe mjetet janë shpenzuar, kështu që mbeten pa mjete deri në fund të vitit. Ai po ashtu tha se paraprakisht është realizuar projekt për termocentral fotovoltaik në vlerë prej 200 mijë eurosh, por pa licencë për shitjen e energjisë elektrike dhe ai projekt është ndërprerë me urdhër të tij.
“Fondi do të shndërrohet në institucion modern dhe i respektueshëm, i cili do të garantojë pagesën e pensioneve dhe realizimin e të drejtave të sigurimit brenda afateve ligjore 30 dhe 60 ditë. Qëllimi kryesor i Fondit për Sigurim Pensional dhe Invalidor është rritja e transparencës ndaj të siguruarve dhe përfituesve të pensioneve. Është planifikuar krijimi i një sistemi të ri ICT që do të sigurojë këtë transparencë, do të sigurojë besueshmërinë e sistemit të informacionit, besueshmërinë e bazave të të dhënave dhe do të sigurojë disponueshmërinë e të gjitha shërbimeve përmes ueb shërbimeve”, tha drejtori i Fondit për sigurim Pensional dhe Invalidor, Memov.