Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu i ka ofruar Hamasit një marrëveshje të re – përmes së cilës Izraeli do të paguante 1 milion dollarë për secilin nga pengjet e mbetura të 7 tetorit – dhe të lejonte që rrëmbyesit e tyre të largoheshin, sipas të përditshmes britanike “The Telegraph”.

Plani i kryeministrit izraelit do të përfshijë ushtrinë e vendit të tij – që do të garantojë kalim të sigurt nga Gaza për palestinezët që mbajnë peng izraelitët.

Një zyrtar izraelit tha se pengmarrësit dhe familjet e tyre do të lejoheshin të largoheshin nga Gaza – duke shmangur kapjen ose ndëshkimin – dhe sipas marrëveshjes qeveria izraelite do të paguajë miliona për pengjet.

Nisma u vu në lëvizje pas mbledhjes së kabinetit të sigurisë të së dielës, në të cilën u diskutua për situatën e pengjeve.

Hamasi nuk i është përgjigjur ende nismës, e zbuluar fillimisht nga transmetuesi izraelit Channel 12.

Plani vjen pasi grupi terrorist hodhi poshtë një propozim të paraqitur nga Egjipti që parashikonte shpalljen e një armëpushimi dyditor në Gazë – nëse do të ishte rënë dakord të ktheheshin katër pengje izraelite.

Antony Blinken, sekretari amerikan i shtetit, tha se Hamasi kishte refuzuar sërish të lironte qoftë edhe një numër të kufizuar pengjesh për të siguruar një armëpushim dhe lehtësim për popullin e Gazës.