Presidenti i ShBA-së, Joe Biden do të presë të mërkurën presidentin e rizgjedhur Donald Trump në Zyrën Ovale, njoftoi Shtëpia e Bardhë të shtunën.

Një takim i tillë është i zakonshëm midis presidentit që po largohet dhe presidentit të ardhshëm dhe ka për qëllim pjesërisht të shënojë fillimin e një transferimi paqësor të pushtetit, në demokracinë amerikane, shkruan Zëri i Amerikës.

Republikani Trump nuk e priti demokratin Biden pas fitores së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Ish-presidenti Trump kandidoi sërish në zgjedhjet e këtij viti dhe mundi nënpresidenten Kamala Harris. Ashtu si presidenti Grover Cleveland në fund të viteve 1800, presidenti Trump do të shërbejë dy mandate të shkëputura, si presidenti i 45 dhe 47 i Shteteve të Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se Biden i telefonoi presidentit të zgjedhur Trump të mërkurën e kaluar për ta uruar dhe për ta ftuar të takohej në Zyrën Ovale.

Në një fjalim që mbajti të enjten, Biden tha se e kishte siguruar presidentin e zgjedhur Trump “se kam urdhëruar të gjithë administratën për të punuar me ekipin e tij për të siguruar një tranzicion paqësor dhe të rregullt. Kjo është ajo që meriton populli amerikan.”

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume