Kryeministri Edi Rama zhvilloi mbrëmjen e të hënës një takim me Presidentin e Emirateve të Bashkuara, Sheikh Muhammed Bin Zayed. Takimi u zhvillua në Baku të Azerbajxhanit, ku shefi i qeverisë po merr pjesë në sesionin e 29-të të Konferencës së Palëve (COP29) të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike.
Përmes një postimi në rrjete sociale këtë të martë, Rama bën me dije se gjatë këtij takimit u diskutuan për disa projekte të rëndësishme që pritet të realizohen, të cilat do të kontribuojnë në forcimin dhe modernizimin e sektorit publik në Shqipëri.
“Mbrëmë pata mundësinë të takoj Presidentin e Emirateve të Bashkuara, Sheikh Muhammed Bin Zayed, një mik të veçantë dhe mbështetës të madh të Shqipërisë. Diskutuam për avancimin e disa projekteve të rëndësishme që janë në fazën e zbatimit, si krijimi i kompanive të përbashkëta për prodhimin e energjisë (KESH-Mazdar), zhvillimi i linjës së interkonjeksionit me Italinë dhe krijimi i një sistemi digjital për kontrollin e trafikut. Këto janë hapa të rëndësishëm për modernizimin e sektorit publik në Shqipëri”, shkruan Rama në rrjete sociale.
Samiti i Liderëve Botërorë të Veprimit për Klimën, që është ngjarja kryesore e COP29, zhvillohet më datat 12-13 nëntor 2024. Një nga objektivat kryesore të këtij samiti është arritja e një marrëveshjeje për financimin e klimës dhe përpjekjet për të përmbushur qëllimin e ngrohjes globale prej 1,5°C.
Këto nisma synojnë të ndihmojnë në financimin e klimës dhe në përpjekjet për të luftuar ndryshimet klimatike, përmes zhvillimit të energjisë së gjelbër, ruajtjes së energjisë dhe avancimit të teknologjive të reja, si hidrogjeni i pastër dhe veprimet digjitale të gjelbra.