Presidenti Joe Biden pritet të shfrytëzojë takimin e tij të fundit me udhëheqësin e Kinës, Xi Jinping, për t’i kërkuar atij që ta dekurajojë Korenë e Veriut nga thellimi i mbështetjes për luftën e Rusisë ndaj Ukrainës.

Bisedimet e së shtunës në takimin vjetor të nivelit të lartë në Peru të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor vijnë pak më shumë se dy muaj përpara se Presidenti Biden të largohet nga detyra dhe t’i lërë detyrën Presidentit të zgjedhur republikan, Donald Trump. Ky do të jetë takimi i fundit i Presidentin Biden me Presidentin Xi, që presidenti demokrat e konsideroi si homologun më të rëndësishëm në skenën botërore.

Në takimin përfundimtar, zyrtarët thonë se Presidenti Biden do t’i kërkojë Presidentit Xi të rrisë angazhimin kinez për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të një momenti tashmë të rrezikshëm me Korenë e Veriut.

Presidenti Biden të premten, së bashku me Presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Seok Yul dhe Kryeministrin e Japonisë, Shigeru Ishiba, dënuan vendimin e udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un për të dërguar mijëra ushtarë për ta ndihmuar Moskën të zmbrapsë forcat ukrainase që kanë marrë territor në rajonin kufitar të Rusisë, Kursk.

Presidenti Biden e quajti atë një “bashkëpunim të rrezikshëm dhe destabilizues”.