Shkruan: Shaban Sinani
Në Stamboll u botua libri me poezi në gjuhën shqipe e turke “Diell dashurie -Aşk güneşi” i poetes Sadije Aliti, nga Shtëpia Botuese “Artshop”, në vazhdën e botimeve në gjuhë të huaja.
Redaktori i librit, Rami Kamberi thekson: “Në universin e poezisë shqipe, autorja ka vendin e saj të merituar. Me zë origjinal dhe impresionues, i cili gjithsesi e pasuron poezinë bashkëkohore dhe i jep asaj edhe një zë më tepër sa unikal aq femëror, sa njerëzor aq dinjitoz dhe sa të ëmbël aq dhe befasues”.
“Në përmbledhjen me poezi“Diell dashurie –Aşk güneşi”, poetja përcjell mesazhe jetësore, metafizike, etike, edukative e kulturore. Mirësjellja, dilemat se ku po shkojmë, bukuria e shpirtit, ardhmëria, atdhedashuria, jeta patriarkale, bontoni, ai tradicional dhe shpirtëror, janë të mbështjellë në vargjet poetike me një mjeshtri të shprehjes metaforike, por ndonjëherë edhe më reale që e bën poezinë e saj tërheqëse, sureale dhe dramatike”- shprehet Dr.Behixhudin Shehapi, në cilësinë e recensentit të librit.
Sadije Aliti, autore e librit shprehet se ky botim nga një Shtëpi botuese e njohur në Stamboll është edhe një sukses i rradhës por edhe një kurorëzim i punës sime me vite që të realizoj e të përfundoj edhe këtë projekt të botimit në gjuhën turke. Bashkëpunimi kulturor ndërton ura komunikimi mes popujve e mes njerëzve e në veçanti mes artistëve, në afirmimin dhe njohjen e shkrimtarëve, njohjen e kulturave të vendeve tona, ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe edhe te gjeneratat e reja që jetojnë në Turqi që edhe pse kanë kaluar dekada e vite ata ende flasin me krenari gjuhën shqipe.
Në dedikimin e shënuar në libër thuhet:” Respekt për shqiptarët në Turqi, për dashurinë e madhe për gjuhën shqipe, trojet shqiptare dhe mërgatën shqiptare kudo. Kulturën, traditën, doket dhe zakonet e të parëve që nuk e harruan dhe e ruajnë me krenari e shumë dashuri”.
Ekipi punues në këtë libër përbëhet nga: redaktor Rami Kamberi, recensentë Behixhudin Shehapi, Yıldırım Akgül, përkthyese në turqisht Rozana Belli, lektor Nizam Reşit, korrektore Mensure Ilazi, Ballinia Afrim Shatku, arkitekt, piktor. Shtypi: Goragraf, Stamboll, Truqi. Botues: ŞENAY VARLIOĞLU AKDAMAR.
Ky botim realizohet në vazhdën e botimeve në gjuhë të huaja që tani më janë disa sosh.