Policia e Kosovës ka thirrur konferencë të jashtëzakonshme për media, pas sulmit të mbrëmshëm në kanalin e Ibër Lepencit në Zubin Potok.

Në këtë konferencë kanë folur edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Hoxha, ka thënë se tri sulmet e fundit në veri janë kualifikuar si sulme terroriste që kanë pasur synim ta cenojnë sigurinë e Kosovës.

Ai ka shtuar se vetëm në gjashtë muajt e fundit janë evidentuar gjashtë raste të shpërthimeve, në komunat me shumicë serbe në veri të vendit.

Duke folur për sulmin e mbrëmshëm në Zubin Potok, ai tha se ka qenë nga një grup i mirë organizuar, të cilët kanë njohuri në përdorimin e mjeteve shpërthyese.

Mes tjerash, Hoxha tha se në këtë sulm është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit, rreth 15 deri në 20 kilogramë.

‘’Më datën 29.11.2024, rasti i sulmit terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Republikës së Kosovës kishte për shënjestër kanalin e Ibër Lepencit i cili bënë furnizimin e ujit të pijshëm të disa komunave por edhe mbi të gjitha furnizimit të ujit të Termocentralit të Korporatës Energjetike (KEK)’’.

‘’Për realizimin e këtij sulmi terrorist në bazë të hetimit të vendit të ngjarjes dyshohet se është përdorur një sasi e konsiderueshme e eksplozivit nga 15 deri në 20 kilogramë e cila ka qenë e vendosur me një çantë të zezë, e u aktivizua me detonatorë mekanik përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme si pasojë e këtij sulmi janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në kanalet e Ibër Lepencit si pasojë është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm e duke rrezikuar edhe furnizimin me energji elektrike’’, ka thënë ndër të tjera Hoxha.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume