Me akuzat ndaj Serbisë për sulme terroriste në veri të vendit, kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi, pritet të marrë pjesë në Bruksel në takimin e nivelit të kryenegociatorëve Kosovë-Serbi.
Zëdhënësja e BE-së, Anna Hipper, ka konfirmuar se takimi mbahet më 17 dhjetor dhe se palët e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Sipas saj, në këtë takim do të diskutohet për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve. Por, ka një paralajmërim ndaj palëve në proces të dialogut.
‘’Bashkimi Evropian dhe Shtetet Anëtare të tij presin që palët të zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e kaluara. Rruga drejt Bashkimit Evropian për të dyja palët kalon përmes dialogut të lehtësuar nga BE. Takimi i radhës i kryenegociatorëve do të zhvillohet më 17 dhjetor, palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe do të shqyrtojnë një sërë çështjesh, duke përfshirë zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”, tha Hipper
Ndërkohë, edhe nga Qeveria e Kosovës e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e 17 dhjetorit në Bruksel.
Por, deputeti i Vetëvendosjes, Agon Batusha, shprehet skeptik për temat që mund të diskutohen me Serbinë, derisa kjo e fundit, sic tha ai, po i sponsorizon sulmet terroriste në Kosovë.
‘’Ne kemi përfunduar në një dialog i cili veç dialog nuk është për arsye se Serbia nuk po i zbaton asnjërën nga dakordancat që janë bërë si në Bruksel dhe aneksin e Ohrit, dhe ka sponsorizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë terrorizmin brenda territorit të Kosovës, për të cilin edhe krye terrorist Radojiçiq po fshihen në Beograd dhe i cili nuk po fshihet nga drejtësia, nuk po arrestohet dhe nuk po ekstradohet në Kosovë. Serbia po e spozorizon destabilizimin e Kosovës dhe të Ballkanit. Prandaj, ne nuk po e dimë faktikisht se për çfarë të dialogojmë duke e ditur se edhe dialogu deri tani edhe në dibalancë për shkak se Kosova është nën masa të BE-së, ndërsa Serbia po ledhatohet”, tha Batusha.
Në anën tjetër opozita ka vazhduar avazin e saj të kritikave ndaj Qeverisë për mos transparencë dhe mungesë të rezultateve konkrete në dialog. Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, akuzoi kryeministrin Kurti se ka hequr dorë nga marrëveshja me njohje reciproke në mungesë të një agjende të qartë.
‘’Nuk mundesh me prit rezultate nga një Qeveri që i ka ditët e fundit të saj, kur nuk ka pasur katër vite rezultate. Nuk pret as bashkësia ndërkombëtare dhe as qytetarët rezultate”, tha Beqa për rtv21
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shemsi Jashari, vlerëson se
ftesa e Brukselit për takim në nivelit kryenegociatorësh përçon një mesazh se vëmendja e tyre është tek dialogu.
‘’Duke pasur parasysh se jemi në fazën parazgjedhore nuk pres përparim në dialog. BE-ja dëshiron ta dërgojë një sinjal se nuk është larguar vëmendja nga dialogu dhe të përfundoj me një marrëveshje. Jemi në një fazë zgjedhore incidentet e ndryshme mund të prishin imazhin e vendit, mund të nxisin tensionet”, tha Jashari
Kryeministri, Albin Kurti, ka parashtruar tri kushte për vazhdimin e bisedimeve me Serbinë: dorëzimin e organizatorit të sulmit terrorist, Milan Radoiçiqit, tërheqjen e letrës së ish-kryeministres se Serbisë, Bërnabiq e cila konteston shtetësinë e Kosovës dhe nënshkrimin e marrëveshjes nga Serbia.