LSDM-ja opozitare akuzoi zgjedhjen e gjyqtares Danka Ristova nga Gjykata e Apelit të Shtipit për anëtare të re të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve. Siç thonë nga kjo parti, është zgjedhur bashkëshortja e kryetarit aktual të Radovishit nga VMRO-DPMNE, Aco Ristov, transmeton Portalb.mk.

Partia vlerësoi se zgjedhja e saj është përpjekje për të krijuar një gjyqësor të kontrolluar partiak, i cili, siç thonë ata, nuk do t’i shërbejë qytetarëve, por interesave të VMRO-DPMNE-së.

“Në vend të reformave, shohim partizim brutal të gjyqësorit, madje edhe okupim nga VMRO-DPMNE. Këto janë instalime partiake në drejtësi si në kohën e regjimit. Të njëjtën gjë që ka bërë DPMNE më parë, po bëhet edhe tani. VMRO-DPMNE është parti që gjithmonë ka pasur një synim të vetëm kur ka qenë në pushtet, vënien nën kontroll të gjyqësorit dhe tani e dëshmon në veprim”, tha zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, në konferencën e sotme për media.

Gjyqtarët Ariton Ala nga Gjykata e Apelit Shkup dhe Danka Ristova nga Gjykata e Apelit Shtip janë zgjedhur anëtarë të rinj të Këshillit Gjyqësor pas zgjedhjeve që u mbajtën dje në vendvotimet në të gjitha gjykatat anembanë vendit.

Gjyqtari Ariton Ala ishte i vetmi kandidat në listën zgjedhore për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve të një liste të posaçme kandidatësh. Në anën tjetër, pesë kandidatë për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit ishin nga zona e Shtipit, ndërsa numrin më të madh të votave e mori gjyqtarja Danka Ristova.

Së fundmi, kryetarja e Këshillit Gjyqësor Vesna Dameva ka dhënë dorëheqje të parevokueshme. Dameva e ka bërë të ditur dorëheqjen e saj në një konferencë për media në Këshill, në të cilën ka theksuar se në periudhën e kaluar politikanët nga pushteti kanë bërë tentativa për të cenuar integritetin e saj personal. Ajo kishte theksuar se në periudhën e kaluar politikanët nga pushteti kanë bërë tentativa për të cenuar integritetin e saj personal, duke fajësuar drejpërsedrejti kryeministrin Hristijan Mickoski.