Presidenti i Kroacisë Zoran Milanoviq ka thënë sot në një bisedë me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Zagreb, se të gjithë vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, duhet ta bëjnë këtë.
Kosova nuk njihet ende nga pesë vende anëtare të BE-së: Spanja, Qipro, Sllovakia, Rumania dhe Greqia qe nga shpallja e pavarësisë në shkurt 2008.
Milanoviq ka deklaruar se janë plotësuar të gjitha kushtet për shtetësi dhe njohje të plotë ndërkombëtare të Kosovës.
“Të gjitha kushtet për shtetësi dhe njohje të plotë ndërkombëtare të Kosovës janë plotësuar dhe veçanërisht Kosova duhet të njihet nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë”, ka thënë Milanoviq.
Ai shtoi se Kosova ka mbështetjen e plotë dhe solide të Kroacisë në rrugën e anëtarësimit në të gjitha asociacionet ndërkombëtare.
Milanoviq tha gjithashtu se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është gjithashtu i domosdoshëm, pasi kjo do të nënkuptonte stabilitet më të madh në Evropën Juglindore, thuhet në komunikatën e Presidencës së Kroacisë.
Kryeministri Albin Kurti gjatë ditës ka takuar edhe kryeministrin Andrej Plenkoviq dhe kryeparlamentarin Gordan Jandrokoviq.
Kurti ndodhet për vizitë pune në Kroaci, pas së cilës do të udhëtojë në Slloveni.