Lagje të shumta këtu në fshatin Çajlë të Gostivarit me vlerë qindra mijëra euro, por, për fat të keq, rezultojnë me dyer e dritare të mbyllura. Shkak migrimi. Kanë mbetur vetëm të moshuarit. Për Alsat me lot në sy rrëfejnë mallin për fëmijët, nipërit e mbesat.

“Më vështirë s`ka ku shkon më, s’ka ku shkon më keq. Kanë mbetur vetë të gjithë. Katër fëmijë kam gjithë i kam jashtë. Pesë- gjashtë nipa. Këtu jetoj vetëm me plakën. Sa e kam plakën s’është shumë rëndë por kur të ik ajo e të mbesim vetëm atëherë është keq”, tha Qefli Fazliu banor i fshatit Çajlë.

Gazetari:A ju mungojnë nipat mbesat ti keni bashkë në shtëpi si dikur?
“Eh ka vdekur më ajo kohë, skam ë nipa mbesa, vetëm vet. I shohim përmes telefonit vetëm”, shtoi Qefli Fazliu banor i fshatit Çajlë.

“Jeta tash është shumë e rëndë, jo pak por shumë, shumë, të jetojsh në pleqëri vetëm pa nipër e mbesa pa njerëz është katastrofë. Shumë e keqe është, jo vetëm për mua por për të gjithë që jetojnë vetëm. Është katastrofë. Gjendja ekonomike i ka detyruar të ikin. Jo që duan fëmijët të na lënë vetëm por detyrohen të ikin”, tha Sinan Elezi, banor i fshatit Çajlë.

Skender Ramadani jeton në Amerikë, ndërsa ka qenë i detyruar që prindërit t’i lërë vetëm. Ai thotë se me mendje gjithnjë është tek familja.

“Babain dhe nënën i kam këtu, unë kam lindur në Amerikë e jam rrit atje, por e keqja më e madhe për ne që jetojmë jashtë mos besimi dhe mos investimi në institucionet shëndetësore dhe gjendja jonë kombëtare na shqetëson më shumë, se jemi të bindur që nuk kemi besim në këto institucionet që do kujdesen”, tha Skender Ramadani, banor i Çajlës.
Fshati Çajlë ka gjithsej 1050 shtëpi, por sipas Bashkësisë Lokale, rreth 1000 rezultojnë pa njerëz. Në fshatin Çajlë ashtu sikurse edhe shumë fshatra të tjerë, janë ndërtuar morgje për ruajtjen e kufomave në rast të vdekjes së ndonjë të moshuari, për të pritur deri sa familja të arrijë në vendlindje.