Pep Guardiola duket se ka në mendje një përforcim të veçantë për të zgjidhur krizën e Manchester City. Fjala është për Paul Pogba. Mesfushori francez, tashmë i njohur në Premier League për periudhën e gjatë te Manchester United, thuhet se është kontaktuar për të mbuluar mungesën e gjatë të Rodrit, i dëmtuar.
Lajmi publikohet nga “The Independent”, që kujton se Guardiola ka qenë një admirues i Pogba që në kohën kur ky i fundit luante për “Djajtë e Kuq”. Pogba, i cili ishte dënuar me 4 vite pezullim për doping, dënim i reduktuar në 18 muaj, do të mund të luajë përsëri nga marsi i vitit 2025. Në nëntor, ai zgjidhi kontratën me Juventusin, duke mbetur lojtar i lirë dhe i gatshëm të zgjedhë destinacionin e tij të ardhshëm.
Gazeta angleze thekson gjithashtu vështirësitë që City mund të hasë gjatë merkatos së janarit, për shkak të pasigurisë që lidhet me procesin e shkeljes së rregullave financiare të Premier League. Vendimi për këtë çështje pritet në shkurt.
Sipas burimeve britanike, vetë Pogba është hezitues për t’u rikthyer në Manchester, duke marrë parasysh eksperiencën e tij të kaluar te United. Ai preferon më shumë një rikthim në Serie A ose një eksperiencë të re në La Liga ose Bundesliga. Kohët e fundit është folur edhe për interes nga Arabia Saudite e MLS, por aktualisht nuk ka oferta konkrete për ta rikthyer Pogba në fushën e lojës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.