Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump kritikoi vendimin e administratës së Joe Bidenit për të lejuar Ukrainën të sulmojë territorin rus me raketa amerikane, transmeton Anadolu.

Në konferencën për media që mbajti në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida lidhur me luftën Rusi-Ukrainë, Trump tha se ka mbrojtur idenë e tij se ishte një “marrëzi” vendimi i administratës së Bidenit që të lejonte Ukrainën të sulmonte territorin rus me raketat amerikane. Ndërsa kur u pyet nëse do të konsideronte anulimin e këtij vendimi të marrë nga administrata aktuale kur ai të marrë detyrën, Trump tha se “mund ta mendojë këtë”.

Në përgatitje për të marrë presidencën në janar, Trump kritikoi presidentin amerikan Biden për marrjen e këtij vendimi pa u konsultuar me administratën e re dhe shtoi se “Pse do ta bënin këtë pa më pyetur se çfarë mendoj unë? Nëse do të isha unë, nuk do ta lejoja ta bënte. Për mendimin tim ky ishte një gabim i madh”.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby tha se “Mund t’ju siguroj se që nga zgjedhjet e deri më tani në bisedat tona në nivele të ndryshme, ne u kemi treguar atyre arsyetimin dhe mendimin që qëndron pas këtij vendimi dhe pse e bëmë këtë”.

Më 12 dhjetor në një intervistë për revistën “Time” e cila e zgjodhi Trumpin si “Personi i Vitit”, Trump mbrojti idenë e tij se ishte një vendim “shumë i rrezikshëm dhe i marrë” për administratën e Bidenit që të lejonte Ukrainën të përdorte në territorin rus raketat amerikane që ajo furnizonte.

Shumë herë më parë Trump ka thënë se nëse merr detyrën do t’i japë fund luftës Rusi-Ukrainë dhe se për këtë do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin. Trump ka theksuar se kjo çështje është shumë më e vështirë sesa problemet në Lindjen e Mesme.