Takimi i 13-të i Grupit Special për Reformën e Administratës Publike ndërmjet Bashkimit Europian dhe Maqedonisë së Veriut
Takimi i 13-të i Grupit Special për Reformën e Administratës Publike (RAP) ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut u mbajt në Shkup më 17 dhjetor 2024. Takimi, nga ana e Bashkimit Europian, u bashkëkryesua nga znj. Sigrid Brettel, Udhëheqëse e Njësisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Europian dhe për Maqedoninë e Veriut nga z. Goran Minçev, Ministër i Administratës Publike dhe znj. Esma Adilovic, Udhëheqëse e sektorit në Ministrinë e Administratës Publike.
Sa i përket kornizës strategjike për RAP, Komisioni përsëriti rëndësinë e Udhërrëfyesit të RAP-it, duke inkurajuar finalizimin dhe miratimin e tij të shpejtë, si dhe përafrimin e tij me raportet dhe strategjitë kryesore. Ky mbetet një pikë referimi hapëse për Klasterin 1 në “Vlerat themelore”. Komisioni theksoi më tej nevojën për të krijuar mekanizma të fuqishëm monitorues dhe raportues. Komisioni përshëndeti raportimin e fundit të zbatimit mbi Strategjinë e Reformës së Administratës Publike, nënvizoi rëndësinë e adresimit të çështjeve ku ka vonesë dhe bëri thirrje për përfundimin në kohë të raporteve të tilla. Ai theksoi gjithashtu nevojën për një udhëheqje më të fortë politike për të siguruar zbatimin e koordinuar.
Lidhur me Menaxhimin e Financave Publike, Komisioni vuri në dukje miratimin e fundit të Ligjit për Kontrollin e Brendshëm Financiar Publik dhe miratimin e akteve nënligjore për zbatimin e Ligjit Organik të Buxhetit, që të dyja janë arritje të rëndësishme sipas Agjendës Reformuese për muajin Dhjetor 2024. Qeveria gjithashtu dha një përditësim mbi zbatimin e Sistemit të Integruar të Menaxhimit Financiar, me Komisionin duke theksuar implikimet e këtij projekti për kushtëzimin që lidhet me disbursimet e ardhshme të lidhura për Axhendën e Reformës.
Për zhvillimin dhe koordinimin e politikave, Komisioni inkurajoi krijimin e një sistemi funksional të planifikimit dhe monitorimit strategjik. Ai theksoi rëndësinë e vlerësimeve të ndikimit rregullator, konsultimeve publike dhe forcimit të kontrollit të cilësisë për të përmirësuar koherencën dhe efektivitetin e politikave. Gjithashtu u nënvizua nevoja për raportim të rregullt për Programin Kombëtar për Miratimi të së Drejtës Europiane.
Në fushën e Shërbimit Publik dhe Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, Komisioni përsëriti rëndësinë e punësimeve dhe shkarkimeve të bazuara në merita, në transparencë, miratimin e shpejtë të ligjeve të rishikuara për shërbimin civil, rregulla të qarta për punësimin, vlerësimin dhe shkarkimin e stafit drejtues, përmirësimin e mbajtjes së stafit, zvogëlimi i numrit të ushtruesve të detyrës në poste udhëheqëse dhe mbledhja më e mirë e të dhënave për shkarkimet, ankesat kundër shkarkimeve dhe përdorimin e Kontratave të përkohshme për punë dhe Kontratave në vepër në administratë. Ai inkurajoi finalizimin e reformave të sistemit të pagave dhe sigurimin që paga të reflektojë përgjegjësitë dhe ekspertizën.
Për sa i përket Llogaridhënies, Komisioni nënvizoi nevojën për llogaridhënie institucionale dhe menaxheriale dhe mirëpriti masat e vazhdueshme riorganizuese. Palët diskutuan për miratimin e Ligjit të ri për organizimin e administratës shtetërore, përmirësimin e përgjigjeve ndaj kërkesave për informim publik dhe nevojën për adresimin e rekomandimeve nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit të Maqedonisë së Veriut për nepotizmin dhe rreziqet e korrupsionit. Komisioni inkurajoi bashkëpunim më të ngushtë midis autoriteteve dhe Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për të trajtuar në mënyrë efektive këto sfida.
Për Ofrimin e shërbimeve, Komisioni kërkoi miratimin me kohë të rishikimeve të Ligjit për Procedurat e Përgjithshme Administrative dhe theksoi përmirësimin e shërbimeve elektronike për qytetarët dhe bizneset. Ai inkurajoi autoritetet të rrisin përdorimin e portalit kombëtar elektronik dhe të thjeshtojnë proceset për shfytëzim më të madh të përdoruesve. Në fund, palët diskutuan për e-qeveria dhe përafrimin e kornizës së ndërveprimit të Maqedonisë së Veriut me Kornizën Europiane të Ndërveprueshmërisë (EIF).
Për Bashkëpunimin Territorial dhe Zhvillimin Rajonal, Komisioni inkurajoi kapacitete më të forta institucionale, staf stabil dhe mbajtje rigoroze të stafit për të siguruar menaxhim dhe kontroll efektiv të fondeve të BE-së. Komisioni nënvizoi rëndësinë e forcimit të koordinimit në të gjitha nivelet e qeverisë dhe përgatitjen e duhur për pjesëmarrjen e mundshme në politikën e ardhshme të kohezionit.