Ministri i Drejtësisë Igor Fillkov, në fjalën e tij në Gjykatën Supreme tha se, të gjitha propozimet e dhëna deri më tani janë vërejtur dhe së bashku me këto të sotmet do t’i përcillen grupit të optimizuar punues i cili do të përgatisë ndryshime përkatëse ligjore.
“Besoj se do të fitojmë një zgjidhje përkatëse ligjore që do të hedhë bazat për funksionimin efikas të këtij trupi. Këshilli Gjyqësor duhet të rikthejë legjitimitetin, profesionalizmin dhe integritetin me zbatimin e drejtë të normave ligjore. Agjenda reformuese, e cila u miratua zyrtarisht nga Komisioni Evropian më 23 tetor të këtij viti, na detyron që brenda qershorit të vitit 2025, të kemi një ligj të ri për Këshillin Gjyqësor, në të cilin do të adresohen rekomandimet e Misionit vlerësues. Na pret edhe detyrimi që propozim ligji të shqyrtohet nga Komisioni i Venecias para miratimit të tij në vend, gjë që krijon presion që procesi të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Realizimi i çdo norme ligjore nga kjo pjesë, varet nga secili gjyqtar, prokuror publik, anëtar i Këshillit Gjyqësor, anëtar i Këshillit të Prokurorëve Publikë dhe dinjiteti dhe profesionalizmi i secilit prej tyre”, theksoi ministri Fillkov.
Për të arritur vlerësimin se në vend sundon drejtësia, nuk mjaftojnë vetëm veprimet e institucioneve të shtetit, por është vendimtare edhe procesuimi i çdo kallëzimi penal brenda një afati të arsyeshëm, ngritja e aktakuzave përkatëse dhe të qëndrueshme dhe sigurisht një procedurë gjyqësore efikase në lidhje me çdo akuzë të ngritur.
Vetëm një rreth tërësisht i mbyllur në një procedurë efikase është dëshmi se sistemi në vend është funksional.
Ky është një angazhim i përbashkët që kërkon një kontribut të përbashkët për të rikthyer besimin e qytetarëve në institucionet e gjyqësorit.