Nuk lejoj që partitë politike të fitojnë pikë dhe të kthejnë rejtingje përmes lojërave në arsim dhe në dëm të procesit arsimor! Ligji për arsimin e mesëm, të cilin e propozuam në Kuvend dhe ofronte më shumë të drejta dhe mundësi të reja për mësimdhënësit, bashkëpunëtorët profesional, nxënësit dhe prindërit, duke përfshirë mundësinë zgjedhore për intonimin e himnin maqedonas në shkolla, do të presë disa javë për miratim. Ndërkohë do ta përmirësojmë përmbajtjen e tij, thotë ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.

Në publikimin në Fejsbuk, Janevska sqaron se ligji është tërhequr nga rendi i ditës për të mos lejuar që BDI-ja të bllokojë miratimin e gjithë rregullores së re ligjore në arsim, ku me faktorë të shumtë shoqërorë është punuar në disa muajt e fundit.

“Duke përdorur retorika nacionaliste, akuzojnë se gjoja është krijuar një lloj pabarazie ndëretnike. Mirë do të ishte që ata ta duan atdheun e tyre, vendin ku janë shkolluar, punojnë e marrin paga dhe të tregojnë respekt për simbolet e tij. Por, shohim diçka tjetër… Për shkak të arritjes së qëllimeve dhe programeve partiake, ata janë të gatshëm të pengojnë zhvillimin, forcimin e shtyllës bazë të shtetit – arsimit. Me lëvizje të tilla, në mënyrë të pavetëdijshme ata e shtyjnë procesin arsimor të të gjithë fëmijëve, pavarësisht se cilës bashkësi etnike i përkasin. Por, sipas të gjitha gjasave, kjo nuk është edhe aq e rëndësishme”, shkroi Janevska në publikimin.

Theksoi se si ministre “do të vazhdojë të angazhoihet për përforcimin e marrëdhënieve ndëretnike, veçanërisht midis të rinjve dhe se për vitin e ardhshëm janë planifikuar më shumë mjete për aktivitete shkollore të cilët do të bashkojnë të rinjtë nga gjeneratat e ndryshme etnike”.

“Deputetëve të BDI-së dua t’i porosis se Qeveria do të vazhdojë t’i zbatojë ndryshimet të cilat i kërkon populli, kjo është e sigurt. Por, i porosis gjithashtu që më në fund të fillojnë të respektojnë vendin e tyre, të tregojnë vullnetin për bashkëjetesë, për bashkëpunim, mirëkuptim dhe unitet. Nuk e di sa herë do ta përsëris, jetojmë në një vend të përbashkët, duhet ta ndjejmë të gjithë si tonin dhe të kujdesemi së bashku për zhvillimin e tij”, ka shkruar ministrja Janevska.