Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili këto ditë kryeson delegacionin e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Turqi, u takua me drejtorin Haluk Gjorgjun dhe udhëheqësinë e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes të Turqisë.

Siç kumtoi sot MPB-ja, në takim u shqyrtuan mundësitë për bashkëpunim të nivelit të lartë me qëllimin tonë përfundimtar për modernizimin, rritjen dhe fuqizimin e kapaciteteve të policisë së Maqedonisë, veçanërisht në pjesën e aplikimit të zgjidhjeve moderne teknologjike për mbikëqyrjen e kufirit.

“Në kuadër të agjencisë operojnë një numër i konsiderueshëm kompanish turke, të cilat merren me prodhimin e armëve, fluturakeve, dronëve, si dhe një numër të madh sistemesh moderne në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat prodhohen tërësisht në Turqi. Ne vizituam kompanitë e njohura si Tusash dhe Aselsan e të tjera, ku u njohëm për punën dhe produktet e tyre, si dhe vizituam disa departamente të policisë turke ku mundëm të njihemi për aplikimin praktik të produkteve të tyre për sigurinë e qytetarëve.”Ne po ndërtojmë një forcë policore evropiane moderne dhe të pajisur që do të ofrojë siguri për çdo qytetar, sepse funksionaliteti i sistemit të sigurisë është parakusht për funksionimin dhe përparimin e shtetit të së drejtës dhe mirëqenien e qytetarëve të tij”, theksoi ministri Toshkovski.

Ministri Toshkovski vizitoi edhe Akademinë e Policisë së Turqisë, ku pati një takim pune me drejtorin, në të cilin u bisedua për avansimin e bashkëpunimit me Qendrën për trajnime të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me theks në trajnimin e vazhdueshëm dhe, në këtë drejtim, mbështetjen në forcimin e kapaciteteve të Qendrës së trajnimit.