Ky shtet i ngjason më shumë atij kundër të cilit u ngritën në këmbë djemtë dhe vajzat më të mira të këtij kombi.
Këtij shteti i vjen era kundërmuese e Jugosllavisë së fundviteve të 80-ta—një sistem që përjashton dhe diskriminon, që margjinalizon dhe anashkalon qytetarët që kanë kontribuar dhe e kanë ndihmuar këtë shtet të arrijë një status të ri, por që tani po e humbet atë për shkak të një politike të papërgjegjshme.
A është ky një shtet ku i gjithë APARATI I SIGURISË është pastruar nga shqiptarët, ku individë që kanë kontribuar në forcimin e sistemit po zëvendësohen sistematikisht me të tjerë bazuar në etni dhe jo merita?
• A po vjen era shtet, kur Presidentja e shtetit nuk ka asnjë këshilltar shqiptar për çështje të sigurisë?
• A po vjen era shtet, kur as drejtori dhe as zv. drejtori i Agjencisë për Zbulim nuk janë shqiptarë?
• A po vjen era shtet, kur Ushtria e Maqedonisë së Veriut ka anashkaluar kandidatin më të kualifikuar, Gjeneralin Emini, duke emëruar një kandidat që është ngritur në gradë vetëm një ditë para emërimit?
• A po vjen era shtet, kur në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shërbimin Ushtarak për Inteligjencë dhe Siguri, profesionistët shqiptarë janë larguar dhe tani nuk ka asnjë nëndrejtor shqiptar?
• A po vjen era shtet, kur në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), asnjë nga ndihmësministrat nuk është shqiptar?
Po, vjen era shtet, por sipas shijes së patronëve tuaj!

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume