Ashtu si Artan Grubi, edhe ish-drejtori i ndërmarrjes shtetërore Elektranat e Maqedonisë s Veriut (EMV), Vasko Kovaçevski, është i arratisur nga drejtësia, konsideron ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski. Kovaçevski është një nga njëzet e tre të dyshuarit në hetimin me emrin e koduar “Aditiv” që është hapur së fundmi nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PThP NKOK) për një krim prej 6.5 milionë eurosh, transmeton Portalb.mk.

Aktualisht, Kovaçevski nuk është i disponueshëm për autoritetet e zbatimit të ligjit dhe ndodhet jashtë vendit. Megjithatë, ndryshe nga ish-zyrtari i lartë i qeverisë dhe partisë Artan Grubi, i cili është i dyshuar në një rast tjetër, ndaj tij nuk është lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar.

I pyetur nëse ka ndonjë informacion se ku ndodhet ish-drejtori i EMV-së, Toshkovski në një paraqitje në TV Sitel, ai shmangu të përgjigjet.

Ai ka konfirmuar se Kovaçevski është larguar nga vendi para hapjes së rastit, gjegjësisht siç tha: “Ka kohë para se të ndërmerren veprimet e duhura në aspektin e bastisjeve etj”.

Në vërejtjen e gazetarit se kjo mund të konsiderohet si një situatë tjetër në lidhje me rastin e Grubit, i cili u arratis dy ditë pasi ishte futur në stoplistën e MPB-së në pikat kufitare, Toshkovski tha se është fakt që të dy personat janë të arratisur nga drejtësia.

“Sepse po të ishte ndryshe, nëse do të ishin të ndershëm para vetes, para popullit dhe Zotit, do të ishin kthyer dhe do të përballeshin me akuzat e duhura që kanë”, shtoi ministri.

Në vend të përgjigjes nëse ka informacione për vendndodhjen e Kovaçevskit, Tshkovski iu referua rastit “Aditiv”, për të cilin tha se ishte një temë shumë interesante për sa i përket guximit me të cilin disa zyrtarë shtetërorë vodhën nga njerëzit e tyre dhe u bënë dëm të dyfishtë.

“Aty dyshohen ish drejtor i EMV-së, ish-drejtor i REK Manastirit, ish-drejtor i tregtisë në kuadër të EMV-së, në të njëjtën kohë ka qenë ish-drejtor i SHA “Poshta” nëse më kujtohet mirë dhe ish-drejtor i TEC Negotinë. Shikoni se çfarë bënë këta. U krijuan disa oferta fiktive për të justifikuar çmimin që u ngrit tre herë më shumë se ai real për një aditiv të caktuar, asnjë aditiv i tillë nuk ishte blerë më parë, nuk u shpenzuan 6.5 milionë euro dhe vlera reale e tregut do të ishte diku mes 1.5. dhe 2 milionë euro, që u botuan edhe në disa dokumentarë gazetareske hulumtues dhe mbi të edhe aditivin që ata e morën, që kur e përdorëm, bëri që blloqet të mos funksiononin. Nëntëdhjetë e pesë përqind e aditivit total të blerë nuk përdoret asnjëherë. Imagjinoni dëmin që kanë shkaktuar, ndërkohë që qytetarët paguajnë rrymën siç po paguajnë, më shtrenjtë se sa duhet të paguajnë. Sa pafytyrësisht i vodhën njerëzit e tyre dhe tani disa prej tyre janë të arratisur nga drejtësia”, tha Toshkovski.

Duke folur në këtë kontekst, ministri i Brendshëm tha se një numër i madh i procedurave janë duke u zhvilluar kundër një numri të madh të ish-zyrtarëve dhe me kalimin e kohës, shtoi ai, të gjithë do të dalin para drejtësisë.

“Do të përballen me drejtësinë”, tha ministri.

I pyetur për njoftimet e kryeministrit Hristijan Mickoski se do të ketë edhe raste të tjera që kanë të bëjnë me termocentralet e Maqedonisë së Veriut (EMV), Toshkovski u përgjigj shkurtë, duke thënë se opinioni do të mësojë për to brenda një kohe të shkurtër.

“Le të themi se publiku do ta dijë së shpejti. Kur të vijë koha, publiku do ta dijë. Nuk do të jetë për dy apo tre vjet me siguri, do të vijë shumë më shpejt”, tha ai.

Në aksionin me emrin e koduar “Aditiv”,i cili është kryer më 10 dhjetor, dyshohen gjithsej 23 persona, disa prej të cilëve ish-drejtorë të ndërmarrjes shtetërore “Elektranat e Maqedonisë së Veriut (EMV)”, REK “Manastir ” dhe REK “Oslomej”.

Në mesin e të dyshuarve ishin edhe emrat e dy ish-drejtorëve të EMV, Vasko Kovaçevski dhe Vasko Stefanov.

Stefanov ka qenë jashtë vendit ditën kur është shpallur aksioni, por është kthyer pas së cilës është arrestuar dhe aktualisht po vuan masën e paraburgimit, së bashku me tetë të dyshuar të tjerë.

Paraardhësi i tij si drejtor i EMV, Vasko Kovaçevski, është ende i padisponueshëm. Ndryshe, siç u tha në brifingun për gazetarë në Prokurorinë Publike më 11 dhjetor, nuk ka asnjë provë se ai ka qenë pjesë e organizatorëve të grupit dhe nuk dyshohet për ndonjë nga krimet për të cilat dyshohen njëzet e dy të tjerë.

Konkretisht, ai dyshohet për veprën penale të punës nga pakujdesia në shërbim, ndryshe nga të tjerët, të cilëve diapazoni i krimeve që u ngarkohen shkon nga shpërdorimi i procedurës së thirrjes publike, dhënia e kontratës për prokurim publik ose partneriteti publiko-privat, shpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe pastrimi i parave dhe produkteve të tjera nga vepra penale.

Emri i Kovaçevskit, sipas kreut të PPKOK, Islam Abazi, ka dalë i fundit në hetim dhe vetëm pak ditë para zbatimit të aksionit.

Gjykat, Kovaçevskit, me propozim të Prokurorisë, i ka caktuar masa kujdesi, siç morën edhe 13 të dyshuarit në “Aditiv”.

Ndryshe, rasti buron nga një storje gazetareske e Laboratorit të Gazetarëve Hulumtues (IRL), i cili publikoi tekstin e parë për marrëveshjen e dyshimtë në Elektranat e Maqedonisë së Veriut në fund të shkurtit të këtij viti.