Zëvendëskryeministri, njëherit kryetar i Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Fetai në një paraqitje në Daily Click në Tv21, ka theksuar se me kryesinë e re të partisë, do të funksionojnë krejtësisht ndryshe. Sipas tij kuvendi i partisë do të jetë organ ku kuvendohet, por edhe raportohet për punën e funksionarëve të partisë që janë në ekzekutiv.

“Për mua personalisht të qenurit kryetar i kuvendit të partisë është një nderë. Keni parasysh edhe periudhën paraprake me atë pozicion, ose me njeriun që barte atë pozicion kemi patur telashe, një periudhë pak traumatike sepse zotëriu në fjalë refuzonte ta thërriste kuvendin për më tepër se një vit, duke mohuar kështu vendimmarrjen partiake. Tani qasja është krejtësisht e kundërt, Kuvendi i partisë do të mblidhet në baza tre mujore për të siguruar raportim, transparencë rreth çështjeve financiare të partisë, transparencë rreth punës së zyrtarëve tonë në qeverisje. Këtë uikend, të dielën do të fillojmë këtë proces, sot në fakt kemi thirrur mbledhje të kuvendit të partisë ku funksionarët do të raportojnë për gjashtë muajt e para në qeverisje, dhe kësisoj do të sigurohemi që kuvendi i partisë të jetë organ ku kuvendohet”, ka theksuar Fetai.

Fetai: BE-ja është pjesë e agjendës tonë

Zëvendëskryeministri Arben Fetai, në Dailyclick ka deklaruar se sa i përket ndryshimeve kushtetuese, ne e kemi mbajtur këtë temë aktuale që nga dita e parë e qeverisjes.

“Ne e mbajmë këtë temë në agjendë dhe vazhdojmë ta mbajmë. Edhe kryetari Taravari ka thënë se VLEN do të duhet të ulen bashkërisht dhe të definojnë hapat e radhës. Në Bullgari vazhdon të ketë destabilitet politik, sepse ende nuk kemi një qeveri të fuqishme politike dhe nuk kemi bashkëbisedues atje. Ne kemi dashur që në Bullgari të kemi një partner që të futemi në dialog që të marrim një lloj garanci që pas ndryshimeve kushtetuese të mos kemi veto tjetër gjatë rrugës, kjo është qëndrimi ynë i përbashkët. Pa VMRO-në nuk bëhen ndryshimet kushtetuese, LSDM e patë që edhe në sondazhe renditet e katërta dhe kanë telashe nga brenda”, deklaroi Fetai.

Pra, siç tha Fetai, duhet të ulemi me VMRO-në për këtë çështje.

“Ne e dimë se cilat janë detyrimet tona, por me një element garance nga autoritetet e BE-së në mënyrë që të kemi garancë që pas kësaj që vazhdojmë sipas kornizës negociuese. Koalicioni VLEN ka organe koordinuese. Kryetrarët mblidhen në baza javore. Ne ua lëmë në dorë kryetarëve që të definojnë hapat e radhës. Ka sinjale dhe kontakte në nivele të ndryshme”, u shpreh Fetai.

Ai gjithashtu shtoi se Maqedonia e Veriut ka pritur vite me radhë për anëtarësim në BE, derisa LSDM e BDI kanë festuar datën e negociatave qysh në vitin 2017, dmth ka qenë një farsë. Ai mes tjerash potencoi se do ti shqyrtojnë gjitha opsionet, “Ne jemi vetëm gjashtë muaj qeverisje, na leni pak hapësirë të veprojmë”, tha Fetai.

Fetai: BDI nuk ka luksin të flet për çështje të mëdha, është opozitë kriminogjene

Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai në një deklaratë për Daily Click ka theksuar se ballafaqohen me një opozitë kriminogjene dhe pa kredibilitet. Ai tha se BDI tanimë ka tre njerëz të futur në listën e zezë amerikane.

“Kjo opozitë që është kriminogjene dhe e diskredituar dhe tani e futur edhe në listën e zezë, këta më nuk e kanë legjitimitetin më të vogël të flasin për politika të mëdha që kanë të bëjnë me integrimin europian. Në këtë drejtim ne e kuptojmë pse ata duan të defokusojnë opinionin, thirrje e tyre për zgjedhje të parakohshme i kemi dëgjuar qysh nga dita e parë, që nuk ka qenë e ndershme. Kemi zgjedhje lokale vitin e ardhshëm, dhe kam frikë se këta do të duhet të presin ta përfundojmë mandatin dhe pastaj të kemi zgjedhje, ata duhet të pastrohen nga njerëzit që kanë rreth vetes aty. BDI tanimë ka 3 njerëz në listën e zezë që ishin persona të afërt të kryetarit të partisë”, ka theksuar Arben Fetai