Bashkimi Demokratik për Integrim dënon ashpër vendimin e shumicës parlamentare, e cila në Komisionin Juridiko-Ligjvënës miratoi një amendament diskriminues në kuadër të Propozim-Ligjit për Arsim Fillor.

Ky amendament, i propozuar nga deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe i mbështetur nga deputetja e VLEN-it, parashikon si kusht për emërimin e drejtorëve të shkollave fillore dhënien e provimit për njohjen e gjuhës maqedonase.

Ky propozim është një sulm i hapur ndaj drejtuesve të shkollave që me sukses kanë kryer punën e tyre dhe një tentativë për të krijuar barriera të panevojshme dhe përçarje etnike.

Në vend që të fokusohet në përmirësimin e cilësisë së arsimit, shumica parlamentare po vendos pengesa artificiale që nuk i shërbejnë interesave të nxënësve dhe mësimdhënësve.

Ky akt është dëshmi e qartë e agjendës për të polarizuar shoqërinë dhe për të margjinalizuar komunitetet që nuk flasin maqedonishten si gjuhë amtare.

Ne e konsiderojmë këtë një hap të papranueshëm që shkel frymën e barazisë dhe bashkëjetesës në vend.

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon që ky amendament të tërhiqet menjëherë dhe u bën thirrje qytetarëve, mësimdhënësve dhe institucioneve që të ngrihen kundër këtij diskriminimi flagrant!

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume