Fjalimi i presidentes Gordana Siljanovska Davkova në Kuvend ishte më shumë teorik se sa pragmatik, vlerësoi deputeti i “Frontit Evropian”, Elmi Aziri.

“Presidentja e shtetit e ka të vështirë të lërë profesionin e saj bazë – profesoreshë, ka munguar pjesa pragmatike, pra roli i saj kushtetues si udhëheqëse e shtetit në dhënien e drejtimeve se si të zgjidhen disa probleme në shoqëri dhe në shtet në tërësi. Ajo u kthye në disa dimensione në disa segmente të jetës shoqërore dhe politike, por për fat të keq, sipas nesh, nuk dha asnjë drejtim, pra nuk dha asnjë shans në drejtim të zbatimit të ndryshimeve kushtetuese në vendin tonë, të cilat janë një parakusht për fillimin e negociatave me BE-në. Madje në fjalën e saj disa herë iu referua nevojës për reforma brenda BE-së, që mendoj se nuk është detyrë e saj, as roli i saj, aq më tepër që vendi ynë nuk është anëtar i BE-së”, tha Aziri.

Ai u bëri thirrje liderëve të shtetit që të marrin përgjegjësi dhe vuri në dukje se ne si shtet duhet t’i realizojmë sa më shpejt obligimet tona ndaj BE-së në mënyrë që negociatat me Unionin të fillojnë sa më shpejt. Sipas Azirit, presidentja nuk i është referuar fare zhvillimeve të caktuara që, siç tha, i referohen kohezionit të brendshëm dhe marrëdhënieve ndëretnike.

“Disa vendime të marra nga Gjykata Kushtetuese, të cilat ende nuk janë marrë në mars ose maj, besoj se do të ndikojnë dukshëm në marrëdhëniet ndëretnike dhe kohezionin e brendshëm. Po ashtu, presidentja nuk është referuar fare për mosrespektimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, duke filluar nga Kuvendi, ku presidentja e shtetit para disa muajsh ishte deputete në këtë shtëpi ligjvënëse”, tha ai.

Sipas Azirit, është përgjegjësi e shtetit që t’i miratojë ndryshimet kushtetuese sepse përfaqësuesit evropianë tregojnë se Korniza negociuese nuk ndryshon.

“Presidentja duhet të ngrihet mbi partitë politike, mbi institucionet dhe të marrë përgjegjësi. Ne dëshirojmë që të gjitha propozimet që dalin nga Maqedonia e Veriut, nga institucionet tona, të pranohen në Bruksel, por fatkeqësisht, nga të gjithë përfaqësuesit e mundshëm nga Brukseli, shohim se Korniza Negociuese nuk po ndryshon dhe se ndryshimet kushtetuese janë përgjegjësi e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, tha deputeti Aziri.