Në media, ditën e djeshme u raportua për një “zotim” të ri të Qeverisë së Kosovës ndaj misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, në lidhje me dërgimin e ushtarëve të FSK-së në pjesën veriore.

Për këtë çështje, zyrtarë të KFOR-it kanë thënë për Klankosova.tv se marrëveshja e vitit 2013 mes NATO-s dhe Kosovës është ende në fuqi, që do të thotë se çdo zbarkim i pjesëtarëve të FSK-së në veri duhet të bëhet me autorizim nga komandanti i KFOR-it.

Po ashtu, ata e kanë vlerësuar respektimin e vazhdueshëm të kësaj marrëveshjeje nga institucionet e Kosovës.

“Mirëpresim respektimin e vazhdueshëm të Kosovës për këtë përkushtim dhe garancën e fundit me shkrim, që pasqyron dialogun e rregullt të KFOR-it me përfaqësuesit e organizatave të sigurisë së Kosovës dhe të institucioneve në Kosovë, përfshirë z.Maqedonci”.

“Komunikimi transparent dhe koordinimi në kohë janë çelësi për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal”, thanë zyrtarët e KFOR-it për Klankosova.tv.

Ndërkaq, në lidhje me detajet specifike të zotimit qeveritar ndaj KFOR-it, këta zyrtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë thanë se nuk kanë të drejtë të zbulojnë informata nga komunikimet zyrtare me bashkëbiseduesit institucionalë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume