Një marrëveshje armëpushimi për t’i dhënë fund konfliktit 15-mujor mes Izraelit dhe Hamasit është finalizuar në Katar.
Izraeli ka thënë prej kohësh se nuk do të pajtohej me ndonjë armëpushim derisa të përfundonte operacionet ushtarake në territor, të cilat u nxitën nga sulmi tronditës i Hamasit në tetor 2023, i cili vrau rreth 1200 njerëz dhe mori peng 251 të tjerë.
Gaza ka pësuar një shkatërrim të madh me një ndikim kolosal humanitar. Më shumë se 46 mijë palestinezë janë vrarë gjatë aksioneve ushtarake të Izraelit, sipas ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi, dhe shumë infrastrukturë në të gjithë rripin është rrafshuar nga sulmet ajrore.
Ushtria izraelite këmbëngul se sulmet e saj në Gaza kanë shënjestruar luftëtarët e Hamasit dhe se është përpjekur të shmangë ose minimizojë viktimat civile. Hamasi i është përgjigjur operacioneve izraelite me raketa kundër Izraelit, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Konflikti ka shkaktuar dëme të mëdha dhe të konsiderueshme në infrastrukturën në të gjithë Gazën. Imazhi i verifikuar më poshtë tregon një lagje në Jabalia para konfliktit dhe javën e kaluar.
Po ashtu Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare vlerëson se 1.9 milion njerëz janë zhvendosur brenda vendit – rreth 90% e popullsisë së Gazës.
OKB-ja parashikon se 91% e njerëzve ishin përballur me nivele të larta të pasigurisë akute ushqimore. IPC – një grup që punon me qeveritë, bamirësitë dhe agjencitë – ka arritur në përfundimin se pragjet e urisë mund të jenë arritur në Gazën veriore pas operacioneve të fundit atje.