Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, ka vendosur që diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, të jetë përfaqësues i posaçëm për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Këtë post aktualisht e mban Mirosllav Lajçak.
Radio Evropa e Lirë ka mësuar nga burime diplomatike në BE se emri i Sorensenit është dërguar për miratim edhe te vendet anëtare të bllokut.
Kandidatura e tij do të jetë në rend dite në takimin e Komitetit politikë dhe të sigurisë së BE-së (PSC) ku janë përfaqësuesit e të gjitha vendeve anëtare.
Burimet diplomatike thanë se sipas praktikës nga e kaluara, konfirmimi i Sorensenit nga vendet anëtare do të jetë vetëm procedurë formale, pasi tashmë Kallas e ka zgjedhur atë si të dërguar të posaçëm për dialogun.
Përfaqësuesit e posaçëm të BE-së emërohen nga kryediplomatja e bllokut, por emërimi i tyre duhet të konfirmohet edhe nga vendet anëtare në Këshill.
Pritet që Sorensen të konfirmohet në postin e emisarit për dialog deri në fund të këtij muaji, në mënyrë që nga fillimi i shkurtit të nisë mandatin e tij.
Të dërguarit aktual, Lajçak, i skadon mandati më 31 janar.