Protesta e partive të vogla në Tiranë e thirrur para Ministrisë së Brendshme mbrëmjen e sotme është shënjuar me një përplasje të ashpër.
Drejtuesi i Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj e përfaqësues të partisë “Lëvizja Bashkë” janë përplasur për radhën e fjalimeve. Ishte Arlind Qori i cili drejton “Lëvizjen Bashkë” ai që kishte paralajmëruar protestë, por asaj i është bashkuar edhe Lapaj, kreu i partisë “Shqipëria Bëhet”. Mesa duket bashkimi i partive të vogla në një front të vetëm opozitar duket i pamundur.
Konflikti sipas “Lëvizjes Bashkë”, ndodhi sepse Lapaj nuk ishte regjistruar për të mbajtur një fjalim dhe po u ‘vidhte protestën’ e zaptonte podiumin. Në pamjet e transmetuara nga mediet dëgjohet edhe një aktivist i “Lëvizjes Bashkë” i cili thekson se protesta është thirrur nga Lëvizja Bashkë dhe ka edhe një listë që duhet të respektohet.Kjo përplasje është komentuar edhe nga Endri Shabani, kreu i “Nismës Thurje”, tjetër parti e re.
Në një reagim në rrjetet sociale, Shabani thekson se kjo është një ngjarjen e shëmtuar dhe sjellje e politikës së vjetër. “Sapo ndodhi një ngjarje shumë e shëmtuar ku Adriatik Lapaj u dhunua nga drejtuesit e “Lëvizjes Bashkë”, duke filluar që nga Arlind Qori dhe drejtuesit e tjerë, të cilët përveçse e larguan me dhunë nga protesta, i bënin thirrje policisë që ta merrte zvarrë. Tani kjo është e papranueshme. E para sepse ku mentaliteti ku djegim Shqipërinë për karrierën e këtij njeriu, është mentalitet i politikës së vjetër. E dyta ideja që ka pronar kauzash, pronar çështjes, se këtë çështje e kam zënë unë dhe asnjë tjetër nuk duhet të flasi dhe luftojë do të thotë që këta nuk duan ta zgjidhin problemin”, u shpreh Shabani mes të tjerash në reagimin e tij.