Kryeministri Edi Rama u takua të martën me Christine Grahn, kreun e Marrëdhënieve me Qeveritë dhe Politikën Publike të TikTokut për Europën, gjatë Forumit Ekonomik Botëror të Davosit.

“Shtruam shqetësimet që na çuan në vendimin e mbylljes së përkohshme të aksesit në platformë nga Shqipëria, si edhe dëgjuam rrugët e mundshme të adresimit të tyre nga ana e kompanisë”, shkroi Rama në një postim në Facebook.

“Një diskutim plotësisht i hapur dhe me frymë konstruktive, ku vendosëm disa piketa bashkëpunimi në javët e muajt në vijim, për të siguruar rihapjen e TikTokut në një kohë sa më të arsyeshme, por sigurisht me të gjitha garancitë e nevojshme, në mungesë të të cilave jemi të detyruar ta mbyllim së shpejti aksesin në platformë”.

Vitin e kaluar, pas vrasjes tragjike të një 14-vjeçari pranë shkollës nga një bashkëmoshatar, dhe pas një konsultimi me prindër e mësues në të gjithë vendin, qeveria vendosi të mbyllë aksesin në TikTok për Shqipërinë, por vendimi nuk ka hyrë ende në fuqi.