Ish-ambasadori i OSBE’së në Kosovë, William Walker, ka dëshmuar sot pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, për krime lufte.

Zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi, i ka thënë Reporteri.net se Walker është paraqitur për dëshmi pas kërkesës së Prokurorisë Speciale për mundësi hetuese të veçantë për marrjen e deklaratës së tij.

Seanca ku ai ka dhënë dëshminë është e mbyllur për publikun.

“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për mundësi hetuese të veçantë për marrjen e deklaratës së dëshmitarit W.W, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka mbajtur seancën për mundësi hetuese të veçantë për marrjen e deklaratës së dëshmitarit W.W , i cili ka të bëjë me krime lufte. Rasti është i mbyllur për publikun”, ka thënë Gashi për Reporteri.net.

Pika 1 e nenit 149 “Mundësia hetuese e veçantë” e Kodit të Procedurës Penale përcakton se “Përjashtimisht, prokurori i shtetit, viktima, mbrojtësi i viktimave, i pandehuri ose mbrojtësi i tij mund të kërkojë që gjyqtari i procedurës paraprake të merr dëshmi nga dëshmitari ose të kërkojë ekspertizë me qëllim të ruajtjes së provës kur ekziston një mundësi e veçantë për marrjen e provës së rëndësishme ose kur ka rrezik të konsiderueshëm se kjo provë nuk do të mund të merrej gjatë shqyrtimit gjyqësor“.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume