Ministria e Punëve të Brendshme me detaje dhe video të reja lidhur me hetimin ndërkombëtar, të koordinuar nga Europoli, policia e Maqedonisë së Veriut dhe ajo e Serbisë.

Operacioni shpartalloi një grup të organizuar kriminal të përfshirë në falsifikimin dhe qarkullimin e parave të falsifikuara në territoret e disa vendeve. Hetimi ka konfirmuar se në fund të 2023-tës deri në shkurt të këtij viti, grupi i përbërë nga shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë ka përpunuar para të falsifikuara në një banesë speciale në Shkup.

“Duke përdorur makina me pllaka të gdhendura që imitonin veçoritë e sigurisë në kartëmonedha, u prodhuan para të falsifikuara në prerje të ndryshme. Ato u hodhën në qarkullim në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, dhe një pjesë e konsiderueshme e tyre përfunduan në Austri, Gjermani, Rumani, Slloveni, Kroaci dhe Kosovë”, thonë nga MPB.

Nga policia njoftojnë se në aksionin që është zhvilluar në territorin e Maqedonisë së Veriut kërkime janë kryer në Shkup, Veles dhe Prilep, ku janë arrestuar 10 persona, 9 nga Shkupi dhe një nga Velesi. Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar para të gatshme në vlerë rreth 500.000 euro, 25 000 dollarë amerikan, 500 franga zvicerane, 1800 shekeli izraelite, 500 kruna kroate, 10 000 lekë shqiptarë, 1000 kruna suedeze dhe 25 000 rubla. Njëkohësisht janë gjetur edhe presa, një makinë CNC për të bërë kallëpe dhe pulla të përdorura për të bërë para të falsifikuara, kopje të pjesëve të kartëmonedhave, një armë, plumba, thasë me lëndë pluhuri të bardhë dhe ngjyrë kafeje, telefona, karta SIM, USB dhe një detektor për kartëmonedha të falsifikuara, hologramë, numërues parash, sende të tjera për falsifikimin e parave dhe laptopë që do t’i nënshtrohen ekspertizës. Në të njëjtën kohë, aksion ka pasur edhe në Serbi ku janë arrestuar 6 persona, pjesëtarë të të njëjtit grup, ku janë sekuestruar 153 700 euro shtesë. Nga policia njoftojnë se aktivitetet e hetimit vazhdojnë ende, dhe Departamenti për luftimin e krimit të organizuar dhe të rëndë do të ngre kallëzim penal kundër gjashtë shtetasve të Maqedonisë dhe dy serb. /Alsat.mk