Futbollisti kroat, Jakov Jelkic, është gjetur i vdekur në Spanjë. Ai ishte zhdukur më 1 shkurt në qytetin e Alicantes, ku ekipi i tij kishte zhvilluar një ndeshje futbolli.

Pas një shëtitjeje dhe frekuentimit të një lokali nate, ai nuk u kthye më në hotel.

Edhe pse rezultatet e autopsisë ende nuk janë publikuar, policia spanjolle dyshon se vdekja mund të ketë ndodhur si pasojë e një incidenti.

Sipas mediave spanjolle, trupi i Jelkicit është gjetur në një thellësi prej dy metrash, pranë një kalate në port, pak para orës 18:30 të ditës së djeshme.

Futbollisti 24-vjeçar, pjesëtar i klubit zviceran Granges-Paccot, kishte luajtur një ndeshje futbolli disa ditë më parë në Spanjë dhe ishte parë për herë të fundit pas mesnatës të së premtes, pasi po kalonte kohë me shokët e skuadrës në një klub nate në Alicante.

Kur po largohej nga klubi, ai u tha shokëve se po kthehej për të marrë xhaketën e tij, por ata nuk e panë më pas.

Zhdukja e tij u raportua të shtunën në mëngjes, pasi ai nuk u paraqit në hotel.