USAID financoi programin e LGBT në punë, Shtëpia e Bardhë denoncon: Abuzim me 1.5 mln dollarë në Serbi
Shtëpia e Bardhë mbështet qëndrimin e Elon Musk për mbylljen e Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar, USAID. Zëdhënësja Karoline Leavitt denoncoi dhe abuzimet që kjo agjenci ka bërë më paratë e taksapaguesve amerikanë duke derdhur shuma masive për projekte që i quajti qesharake dhe në disa raste, dashakeqe.
“Arsyeja pse Elon Musk dhe të tjerët janë marrë me të buron nga shpërdorimi dhe abuzimet që kanë kaluar përmes USAID-it gjatë disa viteve të fundit. Këto janë disa nga prioritetet e çmendura që ajo organizatë ka shpenzuar para: 1.5 milion dollarë për të avancuar programin e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes në vendet e punës në Serbi, 70 mijë dollarë për një prodhim të një Muzikali diversiteti në Irlandë. 47 mijë dollarë për një opera transgjinore në Kolumbi. 32 mijë dollarë për një libër komik transgjinor në Peru. Unë nuk e di për ju, por si një taksapaguese amerikane, unë nuk dua që dollarët e mi të shkojnë drejt kësaj katrahure dhe e di që as populli amerikan nuk e do këtë dhe kjo është pikërisht ajo që Elon Musk është ngarkuar nga Presidenti Trump për të bërë, për të larguar mashtrimin, shpërdorimin dhe abuzimin nga qeveria jonë federale”, tha Karoline Leavitt, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
Kreu i Departamentit për Efiçencë Qeveritare, Elon Musk, pretendoi së fundmi se USAID është një organizatë e kalbur dhe kriminale. Madje tha se presidenti Trump i ka konfirmuar dëshirën për ta mbyllur atë. Megjithatë Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, theksoi se për momentin ai po e drejton Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar.
“Shumë funksione të USAID-it do të vazhdojnë të operojnë dhe do të jenë pjesë e politikës së jashtme Amerikane, por ato duhet të jenë në linjë me programin tonë qeverisës. Nuk është vetëm shqetësimi im, por ka ekzistues për çerek shekulli. Ka gjëra që bëhen, të cila janë të mira, por edhe disa të tjera që ngrenë shumë pyetje. Shqetësimet tona kanë të bëjnë me faktin që vepron si entitet. USAID duhet të marrë udhëzime politike nga Departamenti i Shtetit. Jo vetëm që nuk pranojnë udhëzime, por janë plotësisht jo bashkëpunues”, tha Marco Rubio, Sekretar Shteti.
Ligjvënësit demokratë, që zhvilluan një protestë, e kanë quajtur përpjekjen për mbylljen e USAID, një veprim “të paligjshëm, antikushtetues” që do të dëmtonte njerëzit e varfër jashtë vendit, sigurinë kombëtare dhe do të zvogëlonte ndikimin e SHBA-së në skenën globale.