Mos bini pre e provokimeve, lajmeve të rreme dhe spekulimeve – reagimi i Gjykatës Themelore Penale Shkup për rastin Frosina Kulakov
Gjyqtarët dhe Dega e Shoqatës së Gjyqtarëve të RMV-së në Gjykatën Themelore Penale Shkup, sot në një deklaratë për media shprehin keqardhje të thellë për humbjen e jetës të Frosina Kulakovës në aksidentin rrugor që tronditi opinionin por, siç thonë ata, të nxitur nga reagimet e stuhishme të opinionit për një çështje gjyqësore me aktgjykim jo të formës së prerë për Vasil Jovanovin, për një rast krejtësisht tjetër, vlerësojnë se si gjykatës është e nevojshme t’i drejtohen publikut për të mbrojtur reputacionin e pushtetit gjyqësor, por edhe për të mohuar të gjitha spekulimet dhe lajmet e rreme.
Vijon reagimi i plotë të gjyqtarëve dhe Degës së Shoqatës së Gjyqtarëve të RMV-së në Gjykatën Themelore Penale Shkup
“Ne si gjyqtarë mbështesim qytetarët në kërkesat e tyre për Ndryshime në sistem, që në fakt është një angazhim i kryeministrit dhe ka të bëjë me rritjen e sigurisë në trafik, që në një masë nënkupton edhe ndryshimin e dispozitave në Kodin Penal për këto vepra penale, të cilat padyshim përsëriten shpesh, dhe që shpesh i “kufizojnë” gjyqtarët në veprimet e tyre.
Të nxitur nga reagimet e stuhishme të publikut në lidhje me vendimin jo të formës së prerë, të sjellë për një çështje krejtësisht tjetër, si gjyqtarë vlerësojmë se është e nevojshme t’i drejtohemi publikut për të mbrojtur reputacionin e pushtetit gjyqësor, por edhe për të mohuar të gjitha spekulimet dhe lajmet e rreme.
Para së gjithash, lidhur me aktgjykimin penal për çështjen K.nr. 1439/24 kundër V.J. , e informojmë opinionin se bëhet fjalë për veprën penale të narkotikëve dhe ende nuk është marrë një vendim i formës së preë, përkatësisht është në fazën e vendimmarrjes në Gjykatën e Apelit të Shkupit. Gjyqtarja Daniela Aleksovska-Stojanovska me rastin e marrjes së vendimit të sanksionimit ka vepruar tërësisht në përputhje me dispozitat ligjore, bindjen e lirë gjyqësore dhe praktikën e vendosur gjyqësore. Kjo vlen edhe me citatin e prokurorit publik, i cili në fjalën e tij përmbyllëse thotë:
…. i pandehuri është shumë i ri dhe nuk ka qenë në konflikt të mëparshëm me ligjin, ndaj në këtë çështje komplekse, më së shumti për shkak të moshës së të pandehurit dhe faktit se ai vjen nga një familje bashkëkohore funksionale, i mbetet gjykatës për të përcaktuar sanksionimin më të mirë, i cili do të ndikojë që i pandehuri të kuptojë se ka ndërmarrë veprime të paligjshme.
Nuk janë të sakta spekulimet se i pandehuri ka qenë i dënuar më parë dhe ndaj tij janë zhvilluar proçedime të tjera penale, gjë që duket edhe nga pretendimet e Prokurorisë Publike dhe Zyrës së Procedurave Penale. Por cilat janë ato 10 kallëzimet e famshme që i njëjti gjyqtar ka vepruar për të njëjtin të pandehur, parashtrojmë pyetjen edhe ne, sepse të tilla denoncime nuk janë proçeduar në gjykatë.
Sanksioni penal i shqiptuar ka qenë në përputhje me dispozitat ligjore të Kodit Penal dhe siç ka propozuar edhe prokurori në fjalën e tij përmbyllëse – është sanksioni më i mirë, i cili do të ndikonte që i pandehuri të kuptonte se kishte ndërmarrë veprime të kundërligjshme.
Pyetja qëndron, se nëse do të ishte shqiptuar dënimi me burg, a do të kishte mundur të arsyetohej masa e paraburgimit edhe para instancave më të larta gjyqësore, duke marrë parasysh praktikën gjyqësore të mëparshme, rekomandimet e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg dhe kritikat e vazhdueshme nga komuniteti ndërkombëtar se paraburgimi nuk
duhet të përdoret si dënim. Për më tepër, me heqjen e masës së paraburgimit, prokurori publik nuk ka ankimuar paraburgimin, por vetëm sanksionin penal.
Edhe pse nuk është thelbi i problemit, theksojmë se gjykata për herë të parë përmes mediave mësoi se i njëjti person më parë ka qenë autor i një aksidenti rrugor, por në vend që të procedohet në gjykatë ka përfunduar në Prokurorinë Publike ku në marrëveshje me prokurorin ka paguar gjobë prej 18 mijë denarësh.
Organet kompetente mund të përcaktojnë nëse në këtë rast personi ka vepruar me dashje.
Si gjyqtarë, i bëjmë thirrje institucioneve kompetente gjyqësore që të përdorin mekanizmat për shqyrtimin e aktgjykimit të shkallës së parë dhe të konstatojnë nëse ka pasur mangësi apo lëshime të mundshme në procedurë dhe nëse ka pasur kushte për përjashtim të këtij rasti nga ana e gjyqtares, në kontekstin e të gjitha spekulimeve për lidhjen e saj me familjen e të pandehurit.
Është e paqartë lidhja e kësaj çështjeje me një krim të kryer 7 muaj pas dhënies së aktgjykimit të shkallës së parë, apo me ndonjë çështje tjetër që është ndjekur nga i njëjti gjyqtar.
Mosndëshkueshmëria në shoqërinë tonë nuk gjenerohet vetëm nga pushteti gjyqësor, por është problem i të tri pushteteve dhe kjo mund të konstatohet nëse merren parasysh të gjitha Ligjet për amnisti, falje dhe ndryshimet në Kodin Penal, të cilat kanë liruar plotësisht ose pjesërisht një numër të madh të të dënuarve.
Gjyqtarët veprojnë ekskluzivisht në bazë të Kushtetutës, ligjeve dhe marrëveshjeve të ratifikuara ndërkombëtarisht, të udhëhequr nga parimet e pavarësisë, paanshmërisë dhe drejtësisë, si dhe nga parimi i publicitetit dhe praktika e vendimeve përfundimtare të disponueshme publikisht.
I bëjmë thirrje publikut që të mos iu nënshtrohet provokimeve, lajmeve të rreme dhe spekulimeve, si dhe stigmatizimit dhe linçimit të një gjyqtari për hir të arritjes së qëllimeve të tjera.
Derisa të kuptohen arsyet e dështimeve të tilla, mundësia e përsëritjes së tyre rritet. Prandaj, në emër jo vetëm të viktimës së fundit, por në emër të të gjitha viktimave të mëparshme në qarkullimin rrugor, shprehim ngushëllimet tona dhe kërkojmë që me qasje racionale dhe objektive të përcaktohen shkaqet e këtyre ngjarjeve fatkeqe për të ndërtuar një shoqëri më të sigurt për qytetarët, në emër të së cilës nxjerrim aktgjykimet, citohet në deklaratën e gjyqtarëve dhe Degës së Shoqatës së Gjyqtarëve të RMV-së në Gjykatën Themelore Penale Shkup.