Ministri i Mbrojtjes izraelit tha se ka udhëzuar ushtrinë që të përgatisë plane që një numër i madh i palestinezëve të largohen “në mënyrë vullnetare” nga Rripi i Gazës, në linjë me propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për territorin e shkatërruar nga lufta.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha më 6 shkurt se plani “do të përfshijë opsione për t’u larguar përmes pikakalimeve tokësore si dhe një marrëveshje të posaçme për largim nga deti dhe ajri”.
Ai tha se mirëpret planin “e guximshëm të Trumpit, që mund të lejojë një pjesë të madhe të popullsisë së Gazës të largohet në pjesë të ndryshme të botës”.
Katz nuk tha se nëse palestinezët do të mund të ktheheshin një ditë në Gazë, që është bërë gjerësisht e pabanuar pas fushatës ushtarake 15-mujore të Izraelit kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Më herët gjatë javës, Trump propozoi që shumica e popullsisë së Gazës të vendosej “në mënyrë të përhershme” diku tjetër derisa SHBA-ja të rindërtonte territorin.
Zyrtarët amerikanë më pas thanë se zhvendosja do të ishte vetëm e përkohshme, por palestinezët kanë shprehur frikën se Izraeli nuk do t’i lejojë që të kthehen më.
Mbetet ende e paqartë fakti se nën çfarë autoriteti mund ta merrte SHBA-ja nën kontroll Gazën ose si do të zhvendoseshin 2.3 milionë banorët e saj.
LEXONI GJITHASHTU: