Derisa kanë mbetur edhe pak ditë deri në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, më nëntë shkrurt, agjencia e njohur e lajmeve “Reuters”, shkruan për “dhimbjen” e sanksioneve të Bashkimit Evropian që ndihet në vend, të cilat u vendosen para një viti e gjysmë. Mes tjerash, citohen edhe dy sondazhe, që e tregojnë partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, në rreth 40 për qind.

Artikulli nis me disa fjalë për kinemanë “Lumbardhi” në Prizren, e cila ka transmetuar filma nga Japonia, Kina, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe ka pritur artistë ndërkombëtarë nër festivalin vjetor të filmit dokumentar.

Por kjo hapësirë është përballur me probleme financiare dhe po mbështetej në një grant prej 1.5 milionë eurosh nga Bashkimi Eropian për rinovimin e sistemeve të ngrohjes dhe kullimit, siç tregon drejtori ekzekutiv, Ares Shporta.

Siç thuhet në artikull, më 7 tetor, ai mori një email nga zyrtarë të BE-së të cilët i thanë se granti i është anuluar për shkak të “masave të vazhdueshme të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Qeverisë së Kosovës” – një referencë kjo për shkurtimet e fondeve të BE-së të miratuara në vitin 2023, për atë që blloku tha se kishte të bënte me rolin e kryeministrit Albin Kurti në nxitjen e tensioneve etnike në veri të Kosovës.

“Ndikoi në besimin e komunitetit te ne, por edhe te BE-ja, e cila pretendon se përkrah diversitetin kulturor” – ka thënë Shporta, transmeton Nacionale.

Derisa BE-ja nuk ka publikuar ndonjë listë të programeve të prekura, dy burime, përfshirë një diplomat i lartë, i kanë thënë agjencisë se dhjetra projekte që arrijnë vlerën e të paktën 150 milionë euro kanë ngecur pas vendosjes së masave.

Këto, përfshijnë një impiant për trajtimin e ujërave të zeza, me vlerë 70 milionë euro, dhe rinovimin e një salle të koncerteve.

Tutje raportohet se Prishtina ka minimizuar rolin e këtyre masave, megjithatë, fati i “Lumbardhit” dhe projekteve të tjera të identifikuara nga “Reuters” tregon ndikimin e tyre.

Reuters citon dy sondazhe: VV rreth 40%

Tre analistë, kanë thënë se kjo mund të ndikojë edhe në shanset e Kurtit për t’u rizgjedhur kryeministër në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Madje, “Reuters” ka shkruar se dy sondazhe private të ndara me ta, kanë treguar partinë e Kurtit dhe partnerët e tyre në koalicion me rreth 40 për qind të votave, shumë më pak se 50.2 për qind sa morën në vitin 2021, transmeton Nacionale.

“Derisa shumica e votuesve mund të jenë të kënaqur se Kosova ka më shumë kontroll në veri, shumë prej tyre nuk janë të bindur se kjo është e qëndrueshme pa përkrahjen e ndërkombëtarëve” – ka thënë analisti politik, Agon Maliqi.

Tutje raportohet se disa shtete të BE-së duan t’i heqin masat pasi ato nuk kanë ndryshuar politikat e Kurtit dhe kanë ndikuar vetëm te qytetarët e zakonshëm, sipas asaj që tha një diplomat i lartë dhe një zyrtar tjetër që e njeh për së afërmi situatën. Por ka kundërshtime nga vende të ndryshme, duke përfshirë Francën dhe Hungarinë.

Një zëdhënës i BE-së i përshkroi masat si “të përkohshme dhe të kthyeshme”, por nuk tha se cilat projekte janë goditur. Ky theksoi se BE-ja do t’i heqë sanksionet nëse Qeveria deeskalon situatën në veri.

“Veprimet e Qeverisë së Kosovës… deri më tani nuk kanë qenë të favorshme për këtë qëllim” – tha ky zëdhënës.

Kurti e ka refuzuar propozimin e Bashkimit Evropian për ta krijuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, derisa mbrojti vendimin e tij në një fjalim gjatë fushatës:

“Ne nuk e kemi bërë këtë kundër serbëve: e kemi bërë kundër Serbisë sepse është kundër Kosovës dhe kombit tonë”.

Mes tjerash, janë përmendur deklaratat e Richard Grenell, emisarit të presidentit Donald Trump për misione speciale.

“Si republikanët dhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për veprime të njëanshme që destabilizojnë rajonin,” – shkroi ai në X. “Komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar kundër Kurtit”.