Ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ka zhvilluar sot takim pune me përfaqësues të Bankës Botërore, në të cilin është diskutuar për aktivitetet që kanë të bëjnë me Projektin për Përmirësimin e Shërbimeve Sociale, i cili po zbatohet me mbështetjen e Bankës Botërore.

Projekti përfshin tre komponentë: promovimin e përfshirjes sociale nëpërmjet aksesit më të mirë në përfitimet dhe shërbimet në të holla; zgjerimin e aksesit dhe përmirësimin e cilësisë në sistemin e kujdesit dhe edukimit dhe menaxhimin, monitorimin dhe vlerësimin e projekteve.

Në takim, të dyja palët shprehën kënaqësinë për ecurinë e deritanishme të projektit, zbatimin e tij dhe përkushtimin e të gjithë palëve të përfshira, që orienton në arritjen e qëllimit të përbashkët – ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët.

Konfirmim i suksesit të projektit janë aktivitetet që po vijojnë, që përfshijnë 13 komuna të reja që janë përzgjedhur për zgjerimin e grupeve në kushte të tjera hapësinore, duke mundësuar kështu inkuadrimin e fëmijëve të ri në procesin parashkollor.

Për më tepër, 55 komuna kanë shprehur interesim për grant për zhvillimin e shërbimeve sociale, për të cilat javën e ardhshme do të publikohet Thirrje publike për aplikime. Komunat, së bashku me ofruesit e mundshëm të shërbimeve, do të mund të aplikojnë për grante të destinuara për projekte për zhvillimin e shërbimeve sociale: shërbimet në shtëpi (Ndihma dhe përkujdesje në shtëpi) dhe shërbimet në komunitet (Qëndrim ditor për personat me aftësi të kufizuara, Qëndrim ditor për personat me aftësi të kufizuara me punë individuale, Qëndrim ditor për të moshuarit, Qëndrim ditor për të moshuarit me plakje aktive).

Komunat që shprehin interes për të marrë Grant për zhvillimin e shërbimeve sociale do të pajisen me mbështetje për përgatitjen e aplikimit të projektit nga Njësia e menaxhimit të projektit.

Në takim u bisedua edhe për aktivitetet që kanë të bëjnë me zhvillimin e Sistemit Elektronik për administrimin e përfitimeve në të holla, shërbimet sociale dhe autorizimet publike Ky sistem tashmë është duke u pilotuar në katër Qendra për Punë Sociale – Berovë, Kratovë, Resnjë dhe Makedonski Brod, ndërsa në periudhën e ardhshme do të përfshihen edhe Qendrat e mbetura duke përdorur sistemin elektronik.

Përfitimet e këtij sistemi janë të mëdha, pasi mundëson dukshmëri të menjëhershme të të gjitha të drejtave që një familje përfiton nga sistemi i mbrojtjes sociale.

Bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në drejtim të realizimit të suksesshëm të projektit në tërësi, me theks në ofrimin e shërbimeve cilësore për ata qytetarë që kanë vërtet nevojë për një jetë dinjitoze.