Ushtarët koreano-veriorë, të cilët u dërguan të luftonin në anën e Rusisë në luftën kundër Ukrainës, nuk janë parë në front ka disa javë, duke nxitur spekulime se ata janë tërhequr pas humbjeve të mëdha, ka njoftuar shërbimi i inteligjencës i Koresë së Jugut. Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës i Koresë së Jugut ka konfirmuar këtë javë raportet mediatike që thonë se trupat koreano-veriore janë tërhequr nga linja e parë e frontit në mesin e janarit.
Koreja e Veriut dërgoi rreth 11 mijë ushtarë në rajonin rus të Kurskut në fund të vitit 2024, menjëherë pasi lideri koreano-verior, Kim Jong-un dhe presidenti rus, Vladimir Putin nënshkruan një marrëveshje për mbrojtje të përbashkët, me qëllim forcimin e aleancës kundër, siç thanë ata, “hegjemonisë perëndimore të udhëhequr nga SHBA-të”.
Megjithatë, pjesëmarrja e tyre në luftë ka sjellë humbje të mëdha. Shërbimi i inteligjencës i Koresë së Jugut thotë se rreth 300 ushtarë koreano-veriorë janë vrarë, ndërsa rreth 2700 janë plagosur, shkruan theguardian.
Në muajin janar, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky shpërndau një video të dy ushtarëve koreano-veriorë të kapur, njëri prej të cilëve tha se komandantët e kishin udhëzuar të shkonin për “trajnim ushtarak”.
Ushtarët koreano-veriorë, të cilët nuk kishin përvojë luftarake më parë, thuhet se nuk ishin të përgatitur për kushtet e ashpra të luftës në terren të panjohur, dhe ishin veçanërisht të pambrojtur ndaj droneve ukrainase. Shërbimi i inteligjencës i Koresë së Jugut thotë se janë gjetur shënime tek ushtarët e vrarë, të cilat sugjerojnë se regjimi i Koresë së Veriut priste që ata të kryenin vetëvrasje në vend që të kapeshin.
Arritja e trupave koreano-veriore ka shkaktuar frikë se lufta mund të marrë një kthesë edhe më të rrezikshme për Ukrainën, ndërsa zyrtarët ushtarakë të Koresë së Jugut paralajmërojnë se Pheniani mund të dërgojë edhe më shumë ushtarë.
Koreja e Veriut shpreson se do të marrë në këmbim teknologji të avancuar satelitore ruse dhe do të sigurojë valuta të huaja për financimin e programit të saj bërthamor dhe balistik.
Shërbimi i inteligjencës i Koresë së Jugut thotë se humbjet e mëdha ndër ushtarët koreano-verior janë një nga arsyet kryesore për tërheqjen e tyre nga Kursku, ku forcat ukrainase nisën një ofensivë të papritur në gusht të vitit 2024.
Koreja e Veriut ende nuk ka pranuar zyrtarisht rolin e saj në luftë, por në tetor të vitit të kaluar, Putin shmangu të mohojë praninë e trupave koreano-veriore në Rusi. /Telegrafi/