Marash Kumbulla të shtunën e ka festuar ditëlindjen e 25-të dhe ka arsye për festë.
Fitorja e fundit e Espanyolit ndaj Real Madridit, pa pranuar gol, ka qenë njëra prej befasive më të mëdha në xhiron e 22-të të elitës së futbollit spanjoll.
Espanyoli fitoi 1:0, kurse Kumbulla, qendërmbrojtësi i Shqipërisë, e kompletoi ndeshjen.
Ndeshjen e radhës, Espanyoli e luan në udhëtim te Real Sociedadi, të dielën nga ora 18:30.
Espanyoli po lufton për mbijetesë dhe aktualisht ndodhet shumë pranë zonës që dërgon në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll. Ka grumbulluar 23 pikë nga 22 ndeshjet e para të edicionit.
Të shtunën në një intervistë për “SportItalia”, Kumbulla ka folur për shumë gjëra, ndër tjerash edhe për përballjen me yjet e sulmit të Real Madridit.
“Ata nuk ishin në formën më të mirë”, thotë Kumbulla duke qeshur.
“Kur ata janë në formë të mirë, nuk mund të bësh shumë gjëra ndaj tyre. Por ne u mbrojtëm si ekip, të gjithë të bashkuar e agresivë, dhe u munduam të mos i lëmë shumë hapësira asnjërit prej lojtarëve kundërshtarë. Pastaj, edhe portieri ishte vendimtar me disa pritje. E fituam ndeshjen duke shënuar gol në minutat e fundit. Kundër Real Madridit asnjëherë nuk ke asgjë të sigurt dhe kjo na ndihmoi. Nëse do të kishim shënuar më herët, ndoshta do të kishim rrezikuar më shumë. Ishte fitore me meritë të të gjithëve. Nuk mund ta them ndonjërin prej lojtarëve që ka qenë më i mirë se tjetri. Ndoshta, Carlos Romero, i cili e shënoi golin, apo Joan Garcia, i cili priti çdo top në drejtim të tij. Por, në fund fitoi ekipi”.
Romero e shënoi golin në minutë e 85-të, për fitoren e gjashtë të edicionit. Espanyoli ka edhe pesë barazime e plot 11 disfata.
Kumbulla në gusht të vitit të kaluar, e kompletoi huazimin nga Roma tek Espanyoli i La Ligas spanjolle. I huazuar do të jetë deri më 30 qershor të këtij viti. Eksperiencën në Spanjë, Kumbulla e vlerëson shumë të mirë dhe thotë se është integruar shumë mirë në skuadër.
“Nuk kam pritur që të kem start kaq të mirë, pasi ishte hera e parë që po jetoj jashtë Italisë. Spanja në aspektin e kulturës është shumë e përafërt me Italinë. Por, kisha frikë se mos do të kisha vështirësi në adaptim. Këtë nuk e kam përjetuar dhe jam krenar. I falënderoj bashkëlojtarët dhe trajnerin, që më kanë bërë të ndihem si në shtëpi prej momentit të parë”, thotë Kumbulla, që me Shqipërinë ka 22 paraqitje. Ai ka luajtur edhe për të gjitha grupmoshat e “kuqezinjve”.
Kumbulla në Romë e ka pasur fatin që të punojë te Roma me trajnerin Jose Mourinho. Por edhe me trajnerin Ivan Juriq, që i ka besuar sa ishte pjesë e Hellas Veronës. Ai ka folur për punën e tyre dhe sa i kanë ndihmuar në karrierë si futbollist.
“Të gjithë trajnerët më kanë lënë diçka, pavarësisht a kam luajtur shumë apo pak. Më kujtohet Juriqi sepse ishte i pari që më besoi dhe do t’i jem mirënjohës gjithmonë. Ai ka ma ndryshuar jetën. Mund të them po ashtu se çdo fjalë e Mourinhos ka peshë të madhe. Ai të përmirëson në çdo aspekt dhe gjithmonë i sheh detajet. Në nivelin personal, ai më ka arritur shumë edhe në aspektin e pjekurisë, karakterit dhe aftësisë për t’u kushtuar vëmendje detajeve të cilat nuk i kam llogaritur më parë”, ka deklaruar Kumbulla.
Kumbulla në të kaluarën karrierë si i huazuar ka bërë edhe te Sassuolo në Serie A. Espanyoli është skuadra e tij e katërt.
Synimi i tij është që ta mbyll edicionin me mbetje në La Liga, e më pas të shikojë kah e ardhmja.
Kumbulla në këtë edicion ka zhvilluar 21 ndeshje, ndërsa gola ka realizuar ndaj Mallorcas në fitoren 2:1 dhe barazimit 1:1 me Sevillan.