Tripunovski nga Strumica: Nuk duam të miratojmë asnjë akt që nuk është paraprakisht i harmonizuar me të gjithë ata që marrin pjesë në procesin prodhues

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, në një deklaratë për mediat nga Strumica theksoi se për herë të parë po mbahet një takim i grupit nënsektorial për kopshtari jashtë hapësirave të Ministrisë.

“Do të diskutojmë për sezonin e ardhshëm prodhues, kjo ishte premtimi im dhe parimi im i punës. Përmes komunikimit të vazhdueshëm para fillimit të sezonit të grumbullimit të prodhimit duhet të shqyrtohen të gjitha situatat që mund të paraqesin sfida në pjesën e prodhimit,” theksoi ministri.

“Sot në të njëjtën tryezë do të jenë bujqit, përpunuesit dhe pjesëtarë të tjerë të sektorit. Do të diskutojmë për aktivitetet që na presin në periudhën e ardhshme, qoftë kjo në lidhje me lakrën e pranverës apo për të gjithë vitin prodhues,” shpjegoi ministri Tripunovski.

Ministri theksoi se duhet të dëgjohen vërejtjet nga vetë akterët e përfshirë. Ministria tashmë po punon edhe në rregullimin e procesit të grumbullimit dhe plasmanit të produkteve bujqësore.

“Nuk duam të miratojmë asnjë akt që nuk është paraprakisht i harmonizuar me të gjithë ata që marrin pjesë në procesin prodhues, sepse Ministria ekziston në interes të zgjidhjes së sfidave, zgjidhjes së problemeve dhe punon afatgjatë për të ruajtur prodhimin,” shtoi ministri Tripunovski.

Ai theksoi se po mendohet për një modifikim të sistemit në pjesën e regjistrimit të grumbulluesve në Maqedoni, por kjo nuk do të bëhet pa konsultim me sektorin.

“Një nga temat e bisedës së sotme do të jetë edhe modifikimi i këtij sistemi, si të përmirësohet procesi i plasmanit të produkteve bujqësore. Jemi në fazën e miratimit të Ligjit të ri për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, i cili është baza e prodhimit bujqësor. Aty do të përcaktohen shumë rregulla loje në pjesën e prodhimit, plasmanit, pagesës së produkteve bujqësore, çmimit të garantuar të prodhimit që duhet të vlejë për shumicën e produkteve bujqësore të rëndësishme. Ky ligj pritet të hyjë në fuqi deri në mes të vitit dhe do të nënkuptojë një prodhim bujqësor të qëndrueshëm afatgjatë,” shpjegoi ministri.

Ministri Tripunovski theksoi se përmes diskutimeve në takime të tilla do të stabilizohet sektori bujqësor.