Granit Xhaka me shumë gjasë nuk do të jetë i pranishëm në grumbullimin e ardhshëm të Zvicrës për ndeshjet miqësore kundër Irlandës së Veriut dhe Luksemburgut.

32-vjeçari ka marrë leje nga përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin.

Kapiteni i Zvicrës së shpejti do të bëhet baba për herë të tretë.

Zvicra grumbullohet më 17 mars për ndeshjet miqësore.

Ndeshjen e parë helvetikët e luajnë ndaj Irlandës së Veriut më 21 mars, kurse katër ditë më vonë kundër Luksemburgut.

“Pushimi do t’i bëjë mirë lojtarit që mban rekordin për paraqitje te Zvicra, pasi ai ka luajtur 39 ndeshje që nga mesi i gushtit, shumicën e tyre për 90 minuta. Ndeshja e vetme që humbi ishte kundër Spanjës në Ligën e Kombeve për shkak të pezullimit. Hera e fundit që Xhaka nuk ishte në ekipin zviceran të futbollit ishte vjeshta e vitit 2021, kur lëndoi ligamentin”, shkruan “Blick”.

Xhaka për Zvicrën ka shënuar 14 gola në 135 ndeshje. Ai luan rol kyç edhe te Bayer Leverkuseni gjerman.