Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare Mike Waltz gjatë fundjavës iu përgjigj kritikëve të planit të Presidentit Donald Trump për të marrë kontrollin mbi Rripin e Gazës. Ndërkohë, siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronika Balderas Iglesias armëpushimi ndërmjet Izraelit dhe Hamasit po vazhdon të respektohet; gjatë fundjavës dyja të palët shkëmbyen pengje izraelite që mbaheshin nga grupi militant palestinez me të burgosur palestinezë.

Marrëveshja e armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit po vazhdon të zbatohet. Forcat izraelite u tërhoqën të dielën nga korridori që ndan Rripin e Gazës dhe familje të tëra palestineze filluan rrugëtimin për t’u kthyer në shtëpitë e tyre në pjesën veriore të Gazës.

Por se çfarë pritet të ndodhë me banorët e Gazës pas përfundimit të luftës, mbetet çështje e hapur.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ka qarkulluar idenë që popullsia e Gazës të rivendoset në shtete tjera dhe Shtetet e Bashkuara ta marrin Gazën nën kontroll për ta rindërtuar. Këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Presidentit Trump, Mike Waltz, iu përgjigj atyre që kanë kritikuar planin të dielën.

“Nuk mund ta shndërrosh Gazën në Parisin e Mesdheut siç ishte Bejruti në vitet ’70 për t’u siguruar këtyre banorëve një jetë më të mirë kur ke 1.8 milionë njerëz të cilët jetojnë në skamje absolute dhe mbi grumbuj rrënojash. Të gjithë ata që nuk e pëlqejnë propozimin e tij, përshirë mediat, ejani tek ne po patët një plan më të mirë”, deklaroi zoti Waltz në një intervistë për emisionin “Meet the Press” të televizionit NBC.

Plani i Presidentit Trump ka gjetur mbështetje në Izrael, por bota arabe dhe udhëheqësit palestinezë e kundërshtojnë atë tërësisht.

“Na duhet ta rindërtojmë Rripin e Gazës. Rripi i Gazës është një pjesë përbërëse shumë e vlefshme e shtetit të Palestinës. Është pjesë e vendlindjes tonë dhe ne nuk kemi vendlindje tjetër përveç shtetit të Palestinës”, deklaroi ambasadori palestinez në OKB, Riyad Mansour.

Ndërkohë, izraelitët festuan lirimin e pengjeve të tjera gjatë fundjavës.

Pesë punonjës tajlandezë të cilët u mbajtën nga Hamasi për mbi një vit u ribashkuan me të dashurit e tyre të dielën.

183 të burgosur palestinezë gjithashtu u liruan si pjesë e marrëveshjes.

Bisedimet për fazën e dytë të armëpushimit ndërmjet Izraelit dhe Hamasit do të fillojnë gjatë këtë javë në Katar. /VOA