Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka lëshuar Urdhër për zhvillimin e një procedure hetimore ndaj një personi për shkak të përpjekjes për të kryer një vepër penale – Sulm seksual dhe përdhunim, sipas nenit 186, paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal.

I dyshuari, një 53-vjeçar nga Velesi, në lagjen Aerodrom të Shkupit, në kundërshtim me vullnetin e qartë të viktimës, ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me forcë ndaj saj. Pasi viktima ka kundërshtuar aktivisht duke e goditur me duar dhe këmbë dhe duke thirrur me zë të lartë për ndihmë, i dyshuari ka dalë nga automjeti ku ka kryer sulmin dhe është larguar.

Duke pasur parasysh rrethanat që tregojnë se nëse i dyshuari lihet të mbrohet në liri mund të arratiset ose të fshihet, duke e bërë atë të paarritshëm për organet e ndjekjes, por edhe duke marrë parasysh se ka rrethana të veçanta që tregojnë se ai mund të pengojë procedurën penale duke ndikuar mbi dëshmitaren-viktimë ose se mund ta përsërisë ose ta përfundojë veprën penale të tentuar, prokurori publik i ka paraqitur gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.