Kryeministri Edi Rama i ka dalë sërish në mbrojtje kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pas arrestimit të tij të hënën nga SPAK nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash.

Në një intervistë të dhënë për BIRN, Rama u pyet nëse do të ndiqte standardin e vendosur më parë, duke i shkarkuar nga detyra kryebashkiakët kur janë vënë nën akuzë, kryeministri tha se Veliaj ishte ndryshe.

“Jo vetëm kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk do të shkarkohet nga detyra, por nga ndalimi i tij ka lindur për ne detyra që të vazhdojmë të jemi garantë të palëkundur të drejtësisë, duke nxitur sa më shumë transparencë për të dalë tek e vërteta,” tha Rama për BIRN.

Erion Veliaj, një bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit, është ndër zyrtarët më të lartë të Partisë Socialiste në pushtet që arrestohet për vepra penale të korrupsionit, pastrimit të parave, deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë.

Rama pretendon se ‘nuk ka një çështje konkrete korrupsioni’ dhe e krahason dosjen hetimore me “një roman voluminoz mbi gërmimet e kryera në jetën e tij dhe të bashkëshortes së tij.”

“Pra, në thelb jemi përballë një rasti që krijon dyshimin e arsyeshëm të një hetimi jashtë shinave kushtetuese dhe një ndalimi në shkelje të standardeve demokratike,” – shton Rama, edhe pse kërkon të drejtën për të marrë më shumë kohë para se të dalë në përfundime.

Kryeministri paralajmëron një epokë të re të marrëdhënieve të tij dhe të partisë në pushtet me sistemin e drejtësisë.

“Qëndrimi pesëvjeçar i Partisë Socialiste dhe i kryeministrit për të mos bërë asnjë koment në asnjë rast specifik ka ndryshuar me heqjen e djeshme nga puna të kryetarit të bashkisë së kryeqytetit, për ta mbyllur pa gjyq në një qeli dhe duke kyçur në shtëpi edhe bashkëshorten, nënë e një djali gjashtëvjeçar,” tha Rama.

Një qëndrim të ngjashëm ai mbajti edhe gjatë një bisede live në rrjete sociale me komentuesit, ku vuri në pikëpyetje standardet e funksionimit të drejtësisë dhe e cilësoi heshtjen ndaj punës së saj ‘të keqkuptuar’.

Sipas Ramës, qëndrimi i ri i mazhorancës do të jetë “kritikë konstruktive.”