Tripunovski: Derisa të jem ministër, do të ketë shpërndarje të drejtë të tokës bujqësore, ajo do të përfundojë në duart e fermerëve të vërtetë
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, sot u përgjigj në një pyetje parlamentare që kishte të bënte me tokën bujqësore.
“Që kur jam ministër, me ndihmën e Qeverisë është ndërmarrë një aksion serioz në drejtim të parandalimit të keqpërdorimit me tokën bujqësore. Janë ndërprerë disa kontrata dhe janë liruar mbi 2.000 hektarë tokë bujqësore që ishte keqpërdorur nga pushteti i mëparshëm,” sqaroi ministri.
“Gjatë muajve të parë të mandatit tim janë ndarë 967 kontrata për shpërndarjen e tokës bujqësore. Aktualisht është në zhvillim një thirrje publike në të cilën do të përfshihet e gjithë toka bujqësore e mbetur në territorin e Republikës së Maqedonisë. Dhe e gjithë kjo bëhet vetëm në interes të të gjithë atyre fermerëve që dëshirojnë të punojnë tokën bujqësore,” theksoi ai.
Ai shtoi se trendi i shpërndarjes së drejtë të tokës bujqësore do të vazhdojë përderisa ai është ministër.
“Toka shtetërore duhet të vihet në funksion tek fermerët e vërtetë,” theksoi ministri Tripunovski.
“Sa i përket prodhimit blegtoral, në muajt në vijim do të ketë shpallje të posaçme për blegtorët, të cilët do të kenë përparësi në përfitimin e tokës bujqësore. Blegtorëve u nevojitet tokë për prodhimin e ushqimit, për të ulur humbjet në fushën e prodhimit të ushqimit, por edhe për të pasur një burim të sigurt të ushqimit që u nevojitet,” theksoi ai.
Ministri Tripunovski njoftoi se nesër do të vizitojë rajonin e Pelagonisë për të realizuar takime me fermerët.
“KB Pelagonia është në fazën e nënshkrimit të një aneksi të kontratës, me ç’rast do të lirohen rreth 1.600 hektarë tokë shtetërore bujqësore, e cila do t’u vihet në dispozicion blegtorëve nga Pelagonia,” theksoi ministri.