Tripunovski: Po punohet me vizion për të rritur fondin e bagëtive në Maqedoni, në Programin e ri parashikohen subvencione të rritura
![Tripunovski: Po punohet me vizion për të rritur fondin e bagëtive në Maqedoni, në Programin e ri parashikohen subvencione të rritura](https://tetovasot.com/wp-content/uploads/2025/02/Cvetan-Tripunovski-12.02.2025-750x430.jpg)
„Sa i përket pyetjes së parë dhe prodhimit të qumështit në Republikën e Maqedonisë, do të theksoja një statistikë të shkurtër si hyrje në përgjigjen time: nëse para dhjetë vitesh fondi i bagëtive të mëdha në shtet ishte rreth 260.000 krerë, sot, pas shtatë viteve të politikave shkatërruese të qeverisë së kaluar, fondi i bagëtive është diçka më pak se 140.000 krerë“, theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, nga foltorja e Kuvendit duke u përgjigjur në një pyetje parlamentare.
„Kemi një rënie serioze të prodhimit të qumështit, që është rezultat i politikave të gabuara, politikës së keqe të tokës, mospagesës së subvencioneve, mungesës së masave dhe programeve konkrete. Por ajo kohë ka përfunduar dhe në 6-7 muajt e fundit si qeveri po punojmë intensivisht për ta rikthyer blegtorinë në Republikën e Maqedonisë dhe prodhimin e qumështit ndër të tjera si një nga produktet më të rëndësishme“, sqaroi ministri.
Ministri Tripunovski shtoi se subvencionet nuk janë ulur, përkundrazi janë rritur.
„Në Programin e vitit të kaluar, subvencioni për një krerë bagëti të madhe ishte 12.000 denarë për lopë dhe 5 denarë për litër qumësht të dorëzuar në kapacitetet përpunuese. Këtë vit, në Programin për vitin 2025, mbështetja është 8.000 denarë për krerë dhe 6 denarë për litër qumësht të dorëzuar në kapacitetet përpunuese“, theksoi ministri Tripunovski.
Ai theksoi se nëse një lopë ka një prodhim mesatar vjetor prej 6.000 litrash qumësht, duke e shumëzuar këtë sasi me 6 denarë subvencionin e parashikuar në Programin për vitin 2025, del një shumë prej 36.000 denarësh. Kur këtyre 36.000 denarëve i shtohen edhe 8.000 denarë subvencion shtesë për krerë lopë, arrihet shuma prej 44.000 denarësh.
Ministri shtoi se sipas Programit të vjetër, subvencioni ishte 12.000 denarë për krerë dhe 5 denarë për litër qumësht të dorëzuar, që do të thotë se blegtorët kanë marrë vetëm 42.000 denarë.
„Këtë vit, për herë të parë po e fusim masën për subvencionimin e viçave femra, që do të thotë mundësi për rritjen e fondit bazë të çdo fermeri. Shuma që do të marrë çdo fermer për një viç femër është 3.000 denarë si subvencion shtesë“, njoftoi ministri.
Ai theksoi se Ministria po punon me vizion për të rritur fondin e bagëtive në Republikën e Maqedonisë.